Kërkohet një gjyqtar për Kushtetuesen, Gjykata e Lartë hap procedurën e aplikimit

Gjykata e Lartë ka nisur sërish procedurat për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Vakanca është krijuar nga përfundimi i mandatit të gjyqtarit Gani Dizdari.

Kandidatët do të kenë 30 ditë kohë për të aplikuar.

Njoftimi i Gjykatës së Lartë:

Referuar njoftimeve të kryera nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për 3 vendet vakante në datë 09.01.2017, 27.09.2018 dhe 14.02.2019, Kryetari i Gjykatës së Lartë ka bërë shpalljen publike për plotësimin e tyre, përkatësisht në datat 16.01.2017, 21.11.2018. 19.04.2019 dhe 03.06.2021. Për të tri thirrjet e para ka rezultuar një numër i pamjaftueshëm i kandidatëve. Kjo situatë është bërë shkak për moszhvillimin e procedurave të mëtejshme nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me qëllim plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarëve kushtetues nga Gjykata e Lartë. E njëjta situatë është krijuar edhe për një vend vakant të shpallur me thirrjen e katërt, datë 03.06.2021, konkretisht për vendin vakant të krijuar nga përfundimi i mandatit të z. Gani Dizdari. Për këtë arsye, me shkresën nr.215.Prot, datë 04.10.2021, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i është drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për këtë vend vakant, sipas ligjit.