Manastirliu: Dyfishim të pagesës për personat me aftësi ndryshe që ndjekin shkollën

“Do të garantojmë më shumë akses në shërbime, në shëndetësi, në arsim, por edhe mbështetje për riintegrimin në shoqëri të personave me aftësi ndryshe”. 

Në Ditën Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuar, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ku janë ekspozuar punimet e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi ndryshe, ku theksoi se Shqipëria është ndër vendet e para në rajon që po aplikon një reformë të pagesave, që nuk vlerëson vetëm aspektin klinik për aftësinë e kufizuar.

“Ne kemi filluar reformën e pagesave, pra të mbështetjes financiare për personat me aftësi ndryshe duke përfshirë për të parën herë fëmijët 0-2 vjeç, të cilët më parë nuk mbështeteshin nga shteti me pagesa direkte. Gjithashtu kemi filluar të aplikojmë vlerësimin bio-psiko-social të personave me aftësi të kufizuar. Jemi ndër vendet e para në rajon, e kemi filluar në tre qarqe dhe do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë brenda vitit të ardhshëm. Ky është një vlerësim ndryshe për personat me aftësi të veçanta. Nga një vlerësim tipik mjekësor, pra thjesht duke vlerësuar aspektin klinik të sëmundjes apo të aftësisë ndryshe, ne kemi filluar tashmë të vlerësojmë çdo individ nëpërmjet një vlerësimi më komplekt, një blerësim bio-psiko-social”, tha Manastirliu.

Duke folur për mbështetjen financiare për personat me aftësi ndryshe, Manastirliu tha është garantuar dyfishim dhe trefishim i pagesës për ata të cilët ndjekin shkollën e mesme apo dhe të lartë, me qëllim punësimin e tyre.