Hetimi i prokurorisë së Tiranës, për kompaninë “Telebingo” dhe pronarin e saj, Alban Dabulla, ka vijuar me vendosje të sekuestros prenventive, ku synohet parandalimi i tjetërsimit të aksioneve dhe fshirjes së të dhënave kompjuterike.
Sekuestroja nuk konsiston në bllokimin e aktivitetit tregtar të kompanive, por në lënien në rruajtje të aseteve, serverave dhe mos tjetërsimin e tyre nga administratori i këtij biznesi.
Kjo masë shtrënguese për kompaninë “Telebingo”, që është vendosur tashmë nga prokuroria e Tiranës, është e dyta e këtij lloji. Pasi për të njëjtën kompani ku pronar është, Alban Dabulla, në datën 25 tetor 2021, është vendosur një masë e dytë siguruese nga Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara e Rajonit Qëndror.
Alban Dabulla, djali ish-deputetes Arta Dade
Prej disa ditësh kompania “Telebingo”, pronari i saj, Alban Dabulla dhe 19 zyrtarë të Agjensisë së Monitorimit të Lojrave të Fatit dhe Tatimeve, janë vënë në qëndër të një hetimi financiar nga prokuroria e Tiranës dhe oficerët e krimit ekonomik.
Tre oficerë të këtij sektori ditën e premte dhe të shtunë kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në zyrat e kompanisë “Telebingo”, duke sekuestruar një sërë provash shkresore që janë të vlefshme për hetimin.
Sipas burimeve nga policia e Tiranës, dokumentat e sekuestruara ishin futur në qese të zeza, dhe ishin bërë gati për tu hedhur në mbeturina. Tashmë këto dokumenta, janë bërë pjesë e dosjes hetimore, ku do verifikohen me imtësi.
Kontroll policia ka kryer dhe në tre banesat e Alban Dabullës. Në dy prej tyre nuk janë gjendur sende të kundraligjshme dhe materiale kompromentuese, që i shërbjenë hetimit të çështjes.
Ndërsa tek shtëpia e tretë që Alban Dabulla, ka në periferi të Tiranës, oficerët e policisë, nuk kanë mundur të hyjnë dhe të ushtrojnë kontroll, për shkak të mos lejimit nga administratori i rezidencës së vilave, ku jeton Dabulla.
Mësohet se administratori i kompleksit, ka përdorur argumentin se asnjë nga pronarët e vilës ku policia do ushtronte kontroll, nuk ndodheshin në shtëpi dhe për pasojë ka refuzuar të lejojë policisë të hyjnë brenda në kompleks.
Alban Dabulla, është larguar nga Shqipëria përpara se prokuroria e Tiranës, të kërkonte në gjykatë masën e sigurisë “arrest në burg” për të dhe 19 personat e tjerë.
Por gjyqtarja Oltjona Goxha, në dhënien e vendimit refuzoi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke i thënë “JO” arrestimit të Alban Dabullës dhe 19 zyrtarëve të tjerë.
Dabulla, biznesmen i një sërë biznesesh në Tiranë njihet si personazh i lidhur ngushtësisht me kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj. Madje i zgjedhuri për të drejtuar kryeqytetin, është fotografuar herët në mëngjes në banesën e Dabullës.