Heqja e orës policore në natën e ndërrimit të viteve ka rritur interesin e njerëzve për të festuar jashtë shtëpisë. Hotelet dhe lokalet në bregdet po përballen me rezervime të shumta, duke hedhur pas krahëve situatën e një viti më parë, krejtësisht pandemik.
Ndërsa të gjithë nxitojnë për të bërë përgatitjet e fundit, turistët e fundvitit kanë nisur të mbërrijnë.
”Dua të vij gjithmonë këtu, veçanërisht për festa. Është hera e dytë që vij këtu për festa. E dua shumë këtë vend, atmosferën, njerëzit, muzikën dhe gjithçka. Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri”, shprehet një turiste.
Në kërkim të vendeve plot diell dhe aventurës, edhe ky muzikant skocez ka mbërritur në Durrës për të shijuar ndërrimin e viteve në Shqipëri, vendin e njerëzve të ngrohtë.
“Është një nga qytetet më të këndshme në vend. Është qytet i artistëve, dritës dhe bukurisë. Ka shumë dritë këtu. Unë jam një aventurier. Dua të shoh botën dhe më pëlqen vërtet Shqipëria pasi njerëzit janë shumë miqësorë”, rrëfen turisti.