Një transportuese makinash luksoze me destinacion SHBA është mbytur sot në Atlantikun qendror gati dy javë pas një zjarri që shpërtheu në bordin e saj pranë ishujve portugezë Azores.
Zjarri që dëmtoi rëndë transportuesen Felicity Ace shkaktoi dhe fundosjen e saj teksa po tërhiqej nga marina portugeze.
Marina portugeze konfirmoi fundosjen e anijes rreth 220 metra të gjatë, në një kohë kur ekuipazhi i saj ishte evakuar shpejt pas nisjes së zjarrit ende të pashpjeguar.
Një operacion i gjerë kishte nisur për shuarjen e zjarrit teksa anija kishte lundruar për disa ditë pa asnje ne bord.
Nuk është e qartë sesa makina po transportoheshin në anije, por një anije me masën e Felicity Ace mund të mbante të paktën 4,000.
Prodhuesit gjermanë të automjeteve nuk pranonin të diskutonin se çfarë modelesh ishin duke u transportuar, por grupi Porsche tha se ishte kontaktuar nga pikat e shitjes në SHBA që prisnin automjetet e porositura.
“Ne po punojmë për të zëvendësuar çdo automjet të prekur nga ky incident dhe makinat e reja do të ndërtohen së shpejti”, tha në një email Angus Fitton, zëvendës president i Porsche Cars North America.
Anija transportonte automjete elektrike dhe jo-elektrike, sipas autoriteteve portugeze.
Dyshimet për shkaqet e nisjes së zjarrit më 16 shkurt binin mbi bateritë e litiumit të automjeteve që janë regjistruar edhe më parë si burim incidentesh, por autoritetet thanë se nuk kanë prova për çështjen.