Njerëzimi në rrezik, Putini sulmon termocentralin bërthamor në Ukrainë

Lufta e Putinit në Ukrainë po kërcënon njerëzimin. Pas mesnate, një zjarr shpërtheu në termocentralin Zaporizhzhya, në Ukrainë, më i madhi në Europë.

Zjarri shpërtheu pas një sulmi me rakera nga rusët.

Ndërmarrja shtetërore ukrainase që drejton industrinë bërthamore të vendit, Energoatom, akuzoi ushtrinë ruse për terrorizim.

Megjithatë, autoritetet e Kievit kanë bërë të ditur se termocentrali është i sigurt dhe se ushtria ruse ka ndërprerë sulmin duke lejuar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Sipas raportimit niveli i rrezatimit është normal dhe 5 nga 6 reaktorët janë fikur.

Për këtë sulm ndaj termocentralit, pas një bisede me Zelenskyn, kryeministri Britanik ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Presidenti Ukrainas është telefonuar edhe nga Biden, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka thënë se është në monitorim të zituatës në Zaporizhzhë.

Zelensky: Rusia shtet terrorist

Presidenti Zelensky nëpërmjet një video të shpërndarë në rrjetet sociale e ka cilësuar Rusinë si një shtet terrorist, pasi është i pari shtet që ka sulmuar një territor bërthamor.‘Ushtria ruse ka hapur zjarr ndaj termocentralit Zaporizhzhia. Asnjë shtet përveç Rusisë nuk ka hapur ndonjëherë zjarr ndaj njësive të energjisë bërthamore. Për herë të parë në historinë njerëzore, një shtet terrorist i është drejtuar terrorit bërthamor. Vetëm veprimi i menjëhershëm evropian mund të ndalojë trupat ruse’, shprehet Zelensky.