Ka vijuar me debate mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku shkak është bërë prania e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj është shprehur se prezenca e Berishës është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti.
Sipas tij, Berisha po zhvlerëson vendimet e organeve të kësaj partie duke nisur nga përjashtimi i tij nga grupi parlamentar dhe çdo forum tjetër.
Berisha i është përgjigjur se çdo organ vendimarrës në PD ka qenë ilegjitime që prej Kuvendit të 11 dhjetorit.
Ish-kryeministri shprehet se i vetmi organ që merr vendime është Komisioni i Rithemelimit.
Alibeaj: Nuk je pjesë e grupit, sepse je i përjashtuar më 9 shtator. Prezenca juaj në këtë sallë është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti. Z.Berisha me prezencën tuaj ju po zhvlerësoni vendimet e organeve të kësaj partie. Ju jeni i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe çdo forum.
Berisha: E ke gabim. Z.Alibeaj më vjen keq për këtë qëndrim, pasi jua kam thënë edhe pak ditë më parë dhe po jua përsëris, unë ju respektoj si kryetar grupi, por çdo organ vendimarrës në këtë parti ka qenë ilegjitime pas 11 dhjetorit. I vetmi organ që merr vendime është Komisioni i Rithemelimit.