Të dhëna të mbledhura nga ‘Prapaskena’ tregojnë se biznesmeni Tom Doshi, pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, ka përfituar në mënyrë të tërthortë mbi 2 mijë tendera publikë gjatë kohës kur ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Tom Doshi i ka përfituar tenderat në shëndetësi përmes kompanisë farmaceutike Aldosch – Farma. Pronar formal në letra i Aldosch – Farma sot është njëfarë Aqif Hoxha, një nga maskat e Tom Doshit.
Në vitin 1996, Tom Doshi, bashkë me Tonin Shpatin, themelojnë kompaninë Aldosch, me kapital 100 mijë lejë, me objekt tregtim karburanti. Nga kjo kompani, deri më sot, Tom Doshi, ka shpërndarë fitim të pakën në 11 raste, në vlera të konsiderueshme si 390 mijë USD, 250 mijë USD, 80 mijë USD, 62 mijë euro, 240 mijë USD, 260 mijë USD, 210 mijë USD, 40 mijë USD, 32 mijë USD etj.
Në vitin 2003, ortaku i Tom Doshit, Tonin Shpati themelon kompaninë Aldosch – Farma, me zyra pikërisht tek adresa e Aldosch 1, me kapital 100 mijë lekë, me objekt magazinim dhe shitje me shumicë e banane farmaceutike.
Në vitin 2009, kompania gjermane Mibe GmbH bleu 100% të aksioneve të Aldosch Farma.
Katër vite më pas, në vitin 2013, Mibe GmbH i shitit z. Aqif Hoxha te 49% te pjesëve të Aldosch Farma, për 700 mijë euro. Në vitin 2016, Aqif Hoxha, me një historik fatamzëm dhe fiktiv biznesi, blen edhe 51 aksionet e tjera për 730 mijë euro.
Ku i gjeti Aqif Hoxha 1.4 milionë euro për t’u blerë kompaninë gjermanëve? Afiq Hoxha është anëtar i këshillit mbikëqyrës i kompanisë ‘Antibiotik’, e cila kontrollohet nga kompania Aldosch, me pronar Tom Doshin. Të gjitha faktet dhe rrethanat të çojnë në konkluzionin se Afiq Hoxha është maskat e Tom Doshit.
Nga ana tjetër, kompania farmaceutike “Profarma” ku deputeti Tom Doshi zotëron 49 për qind të aksioneve rezulton më e favorizuara në listën e ilaçeve të rimbursueshme nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Duket qartë se, që nga viti 2013, Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj, kanë punuar dhe punojnë vetëm për kompanitë e Tom Doshit dhe pasurimin e këtij të fundit.
Lufta për pasurim
Sa herë interesat e Tom Doshit cenohen në sektorin farmaceutik, në politikën shqiptare ka konflikt.
Në vitin 2015, Tom Doshi kërcënoi me gjeste dhe deklarata kryeministrin Edi Rama. Kërcënoi fizikisht disa ministra, madje besohet se rrahu Ilir Beqjan dhe Ditmir Bushatin, si u konfliktua me Saimir Tahirin, pasi kompanitë e tij patën disa pengesa gjatë fuqizimit.
“Mes meje dhe Ramës s’ka ma paq! Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukëshkalë. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij…”, e kërcënoi Tom Doshi Edi Ramën në vitin 2015.
Kërcënimi i Doshit erdhi pasi Rama e përjashtoi formalisht nga grupi parlamentar i PS-së, për të mbajtur Ilir Metën, i cili i mbante qeverinë këmbë. Tom Doshi mendoi se duke e përjashtuar nga PS, do të humbte privilegjet e pushtetit të ri. Dhe ky rrezik ishte i arsyeshëm dhe logjik.
Në fundit të vitit 2014, Tom Doshi dhe Ilir Meta kishin pasur mosmarrëveshje në pazare dhe miqësia mes tyre, ku shëtisnin bashkë me helikopter Alpeve, ishte krisur. Për të zmbrapsur dhe fundosu Metën, Toma sajoi atentatin e planifikuar nga Meta, për të vrarë vetë Tomën dhe Mhill Fufin.
Sajesa ishte bombastike dhe bëri që Sali Berisha me të tijët t’i hidhej në fyt Metës. Megjithatë, Meta, si një nga nyjet më të vjetra të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, arriti ta tejkalojë këtë furtunë, dhe në fund u dënuan Toma, Frroku dhe Durim Bamimi për sajesën.
Tom Doshi kërkonte kontrollin mbi shëndetësinë në këmbim të ‘kontributit’ të tij për të sjellë PS-në në pushtet në 2013. Kërkonte kapjen edhe të sektorëve të tjerë, emërimin e drejtorëve në Shkodër, emërimin e drejtorëve të policisë etj.
Edi Rama u dorëzua shumë shpejt para tij, ndërsa me Metën u ul sërish si më parë. Vetëm dy vjet më vonë, në 2017, Rama do të mbante Doshin, ndërsa do të lëshonte Metën, një lëvizje pragmatiste nga pikëpamja e pushtetit, pasi Doshi ishte i vetëm në pasurim, ndërsa Ilir Meta kishte një ushtri nga pas. Rama zgjodhi të keqen më të vogël dhe arriti të mbante pushtetin.
Problemi tashmë është se Tom Doshi është shpallur non grata nga amerikanët në 2018. Doshi ka krijuar një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro, ku është përpjekur ta justifikojë me kredi bankare, fitimi nga kompanitë, tendera, shitblerje pasurish, bli lirë dhe shit shtrenjtë, transaksione miliona euro në Australi, investime të dyshimta etj.
Megjithatë, ka dyshime të forta se baza e pasurisë së Tom Doshit janë paratë e pista. Ndaj nuk dihet se kur SPAK do të nisë një hetim historik, të thelluar dhe të gjithanshëm, i cili mund të çojë në sekuestrim të 97 % të pasurisë së Tom Doshit.