Falcone e Borselino ‘përjetësohen’ në monedhën dy euroshe

Magjistratët heronj të luftës antimafie në Itali, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino do të përjetësohen në monedhën evropiane dy euroshe. Homazhet bëhen në 30-vjetorin e vrasjes së tyre.

Monedha e emetuar tashmë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave është krijuar nga artisti italian, Valerio De Seta.

Vepra është frymëzuar nga një fotografi e famshme e Tony Gentile, e realizuar në vitin 1992 gjatë një takimi në Palermo.

Rezultati është një imazh realist dhe i gjallë i Falcones dhe Borsellinos, simbole të ligjshmërisë dhe respektit për institucionet.

Sipër monedhës gjenden te stampuar emrat “FALCONE – BORSELLINO” dhe më poshtë vitet 1992-2022, respektivisht viti i vdekjes së dy magjistratëve dhe viti i emetimit të monedhës, me akronimin e Republikës Italiane dhe me 12 yjet e Bashkimit Evropian përreth.

Kjo monedhë do të përdoret në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian.  Monedha për qarkullim të zakonshëm ka një kuotë totale në vlerë nominale 6 milionë euro që i përgjigjet 3 milionë monedhave.