Gjyqtari i Bashkim Ulajt liron nga burgu Burim Durakun, i akuzuar për vrasjen makabre të grekes Artemis Vasilopou

Skandal në Gjykatën e Kukësit. Gjyqtari Sami Ujkashi, i njohur edhe si vegla e oligarkut Bashkim Ulaj, ka liruar nga burgu Burim Durakun, i cili akuzohet për vrasjen makabre të një shtetasje greke.

Në bazë të kërkesës të paraqitur nga mbrojtësi Av. Sokol Tahiraj i Burim Durakut , Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka pranuar kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit për arsye humbje e fuqisë së paraburgimit për tejkalim të afateve maksimale hetimore nga koha e përcaktuar në bazë të nenit 261 / 1c / të Kodit të Procedurës Penale.

Burim Duraku u arrestua më datë 20.12.2019 pasi kërkohej nga drejtësia greke.

 

Dokumenti i vendimit të Gjykatës së Kukësit

Duraku  dyshohet se vrau në Greqi në maj të vitit 2010 shtetasen Artemis Vasilopou.

Ngjarja sipas autoriteteve vendase ndodhi në vendin e quajtur Argostoli të Kefalinias të Greqisë, ku Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar janë futur në banesën private të shtetases greke.

Pasi kanë tentuar pa sukses të shpërthenin me një mjet të mprehtë derën midis kuzhinës dhe sallonit, e cila ka qenë e kyçur, e kanë thyer derën dhe janë futur brenda.

Aty kanë gjetur shtetasen greke A. V., të cilës i kanë lidhur duart dhe këmbët me një shirit ngjitës. Më pas kanë grisur me thikën një copë xhakete dhe e kanë mbështjellë me shiritin ngjitës duke i zënë frymën e më pas i kanë vënë në kokë një qese plastike dhe si pasojë e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen.

Këta dy shtetas më pas i kanë vjedhur një shumë të hollash dhe disa sende të çmuara viktimës.

Ndërkaq, Sami Ujkashi njihet si gjyqtari i skandaleve. Mes vendimeve skandaloze, Sami Ujkashi ka vendosur edhe pezullimin e zbatimit të Gjykatës së Lartë, për bllokimin e punimeve për HEC-in e Bashkim Ulajt në Valbonë.

Ujkashi tejkaloi kompetencat duke kthyer në nul vendimin e gjykatës së një shkalle më të lartë, tërësisht në kundërshitm me ligjin. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë kërkoi publikisht inspektim ndaj gjyqtari Sami Ujkashi, nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.