Një dosje penale voluminoze, për llogari të të ish-prokurorit të Apelit Tiranë, Nezir Gjoka, është transferuar për hetime të mëtejshme nga prokuroria e Durrësit në Prokurorinë e Tiranës. Çështja penale bazohet në një kallëzim që ka bërë Komisioni i Vetingut ndaj ish prokurorit Gjoka, i cili dha dorëheqjen nga drejtësia në qershor të vitit 2020.
Procesi i verifikimit të Nezir Gjokës, i cili njihet si daja i gjyqtares Etleva Deda në Gjykatën e Posaçme, kishte nisur që në nëntor të vitit 2018. Në 12 mars të vitit 2020, Komisioni i Vetingut mbylli hetimet vetëm për kriterin e pasurisë për ish prokurorin Gjoka, duke i kaluar marrën e provës për konstatimet rreth ligjshmërisë së pasurisë.
Shqiptarja.com mëson se Komisioni i Vetingut ka konstatuar të ardhurave të pamjaftueshme për justifikimin e pasurisë, dyshime për fshehje pasurie etj. Duke mos përmbysur konstatimet e hetimit, Gjoka zgjodhi që të japë dorëheqjen, me qëllim për të evituar seancën dëgjimore, ku do të dilnin në pah detaje rreth pasurisë së tij të dyshimtë.
Miratimi i dorëheqjes së Nezir Gjokës erdhi vetëm një ditë pasi ai kishte humbur gjyqin penal në Gjykatën e Apelit për dosjen e lobimit rus, ku i pandehur ishte marrë ish-kryeopozitari Lulzim Basha, kryefinacieri i PD Ilir Dervishi dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Arben Ristani.
Nezir Gjoka iku me vullnetin e tij të lirë nga sistemi i prokurorisë, me shpresën e mospublikimit të materialit sensitiv të konstatuar nga KPK-ja, por Komisioni i Vetingut referoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, duke u futur në listët e prokurorëve të kallëzuar me Petrit Fushën e të tjerë.
Çështja e tij, për një periudhë kohe është mbajtur në Durrës nga prokurorja Enkelejda Xhengo, e cila nuk e kishte regjistruar fare si procedim penal kallëzimin e bërë nga KPK-ja në prokurori.
Por në datën 26 korrik 2022, Xhengo ia ka transferuar për moskopetencë kallëzimin e KPK-së Prokurorisë së Tiranës, Duke i kërkuar kësaj të fundit të kryejë verifikime dhe hetime nëse qëndrojnë pretendimet e ngritura në kallëzim. Në datën 6 shtator 2022, materiali kallëzues ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës.
Aktualisht dosja është ndarë në short dhe mësohet se prokurori që është ngarkuar për të kryer hetime rezulton të jetë, Dritan Nushi. Ky i fundit e ka ende në verifikim materialin dhe nuk ka një vendim për regjistrimin e procedimit penal deri në këtë fazë. Por koha do tregojë dhe vendimmarrjen e prokurorit Nushi ndaj kallëzimit të KPK-së për sa i përket fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë nga ish-prokurori Nezir Gjoka.
Ka të dhëna se veç Nezir Gjokës, prokuroria e Durrësit ka shpallur moskopetencën dhe dërguar për hetim të mëtejshëm prokurorisë së Tiranës dhe dy prokurorë të tjerë, që janë kallëzuar nga KPK për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.