Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se sulmet ruse me raketa që goditën Kievin dhe qytetet e tjera në Ukrainë të hënën “treguan edhe një herë brutalitetin e plotë të luftës së paligjshme të Putinit ndaj popullit ukrainas”.
Sulmet e fundit në të gjitha qytetet ukrainase kanë lënë paku disa të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas valës së sulmeve hakmarrëse ruse pas shpërthimit të fundjavës në urën e vetme që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar më 2014.
“Këto sulme vetëm sa e përforcojnë më tej angazhimin tonë për të qëndruar me popullin e Ukrainës për aq kohë sa duhet”, shkroi Biden në një deklaratë të hënën.
“Krahas aleatëve dhe partnerëve tanë, ne do të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto për agresionin e saj, do të mbajmë Putinin dhe Rusinë përgjegjëse për mizoritë dhe krimet e saj të luftës dhe do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për forcat ukrainase për të mbrojtur vendin dhe lirinë e tyre”.
Edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, i tha televizionit CNN se BE-ja duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar Ukrainën pas përshkallëzimit të sulmeve të Rusisë, duke ofruar më shumë pajisje ushtarake.