Rekord kundër Barçës, Nagelsman: Ishim dinjitozë, çelësi i suksesit ndaj ekipit të Çavit është…

Julian Nagelsman vazhdon të mahnisë Europën me Bajernin e tij. 35-vjeçari, pasi arriti të mposhtë me sukses ekipin e Çavi Hernandezit, tashmë vjen me një rekord ndaj “blaugranave”. Është fakt se Julian ka arritur të thyejë Barcelonën në 4 sfidat e luajtura mes tyre që nga koha e ish-trajnerit të Lajpcigut në krye të bavarezëve.

Kjo do të thotë se asnjë teknik më përpara nuk e ka arritur një kuotë të tillë. Më parë mund të krenohej vetëm Murinjo me 3 fitore, por Nagelsman e ka bërë që kjo statistikë të zbehet për t’i lënë vend vetes së vet. Gjermani pas suksesit ka dashur të jetë më i përmbajtur, duke u përqendruar më tepër në aspektin teknik, sesa atë individual.

LOJA – “Kemi pasur shumë kartonë në këtë përballje, por loja i ka kur flitet përtej një ndeshjeje të zakonshme. Mund t’ju them me bindje se durimi është çelësi i çdo suksesi, ashtu ishte edhe taktika jonë e ndjekur ndaj rivalit”, pohonte 35-vjeçari.

GOLAT – “Të dy golat ishte të veçantë, jo vetëm në finalizim, por edhe në interpretimin e aksionit. Kjo nxori në pah se ata nuk erdhën në mënyrë episodike, por të organizuar në reparte të ndryshme”.

FITORJA – “Luajtëm si një ekip i vërtetë, jo vetëm në aspektin sulmues, por edhe atë mbrojtës. Mund të shënosh, por nëse nuk e mbron atë çka faza ofensive ka dhuruar, atëherë puna bëhet e pavlefshme”.

MANE – “Sadio nuk vinte nga një moment i mirë pas ceremonisë së ‘Topit të Artë’, jo mbi aspektin profesional, por atë fizik. Zëvendësimi ndaj Augsburgut dhe lënia në stol në Hofenhaim nuk erdhën në formën e kritikës, por dhënien e kohës së duhur me qëllim rigjenerimin e energjive të humbura. Çdo lojtar mund të pësojë momente të tilla dhe Mane arriti t’u jepte përgjigjen e merituar të gjithëve që e paragjykuan”, citonte duke e mbrojtur lojtarin e vet tekniku i kampionëve në fuqi të Bundesligës.