Liverpul vazhdon i qetë marshimin në këtë turne pas fitores ndaj Ajaksit. Pas ndeshjes, trajneri Jurgen Klop pranoi vështirësitë e ekipit të tij pavarësisht fitores me tre gola në Amsterdam.
“Patëm një gjysmë ore të parë të vështirë, ku Ajaksi ushtroi shumë presion. Na duhej të mbroheshim me shumë pasion në ato momente, por në rregull. Bëhet fjalë për një ndeshje në transfertë në Ligën e Kampioneve dhe ti duhet t’i kalosh këto faza. Jemi kualifikuar në fazën me eliminim direkt dhe unë nuk do ta marr kurrë këtë si të mirëqenë. Është një arritje e madhe. Jemi të sfilitur, por ndjehemi shkëlqyeshëm”, tha trajneri gjerman për mikrofonat e “BT Sports”.
Ai vlerësoi edhe ndeshjen e Darvin Nunjezit: “Ai bëri një ndeshje shumë të mirë në të dyja drejtimet. Ai luajti me zemër të madhe dhe më pëlqeu shumë. Në pjesën e dytë ne bëmë një nisje shumë të mirë, shënuam dy gola të mrekullueshëm dhe më pas e kontrolluam ndeshjen. Luajtëm me një mesfushë diamant, që është risi për djemtë, por nuk donim Darvinin në krah, kështu që luajtëm ndryshe. Duhet të përshtatesh dhe këtë bëmë”.