Zhang hap “thesin” për kualifikimin në 1/8-at e Champions-it, lojtarët e Interit përfitojnë shumën e majme

Kanë kaluar 6 vite që kur grupi “Suning” u bë pronari i Interit dhe 4 vite që kur Stiven Zhang mori presidencën e klubit, pas babait të tij Zhang Jindong, periudhë kjo në të cilën zikaltrit kanë ardhur në rritje dhe kanë korrur disa suksese.

I fundit ishte ai i kualifikimit për herën e dytë radhazi në fazën e 1/8-ave të Champions League, kualifikim i arritur falë fitores së të mërkurës ndaj Viktoria Plzenit.

Pas ndeshjes erdhi edhe deklarata e 30-vjeçarit që mohoi tratativat për shitjen e klubit duke treguar se i gjithë ekipi ishte përqendruar tashmë në përmbushjen e objektivave dhe kishte lënë mënjanë të gjitha spekulimet që ekzistojnë prej kohësh.

INZAGI DHE SHPËRBLIMI – Përpos ekipit, një vend të veçantë në fjalën e presidentit ka pasur Simone Inzagi, për të cilin nuk kanë munguar elozhet. “Kualifkimi është meritë edhe e Inzagit, është një trajner shumë këmbëngulës dhe e dija që do të ishte i aftë t’i kapërcente vështirësitë që kishim hasur në fillim të sezonit.

Në këtë arritje në një grup kaq të vështirë kam parë cilësitë e tij dhe të skuadrës, që kanë qenë thelbësore”, tha presidenti, që nuk është mjaftuar vetëm me komplimentet, por ka hapur edhe thesin për skuadrën e tij. 2 milionë euro është shpërblimi që ka vendosur Zhang për kualifikimin, dyfishi i shumës që ka shpërndarë një vit më parë, si një shenjë motivimi dhe mirënjohjeje për punën që sapo ka nisur.

MOTIVIMI NGA KINA – Por ndërkohë që sot do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme dhe Stiven Zhang pritet të bëjë aty një rezyme të të gjithë situatës së Interit, deklarata e parakohshme e numrit 1 të Interit mund të fshehë pas saj një tjetër motiv.

Siç raporton “La Gazzetta dello Sport”, Zhang Jindong, ish-presidenti zikaltër është prej 2018 i zgjedhur në Kongresin e Partisë Komuniste në Kinë dhe nga Kongresi Kombëtar i javës së shkuar, Jindong ka forcuar pozitat e tij në parti dhe rrjedhimisht edhe në vendimmarrjen e qeverisë kineze.

Një nga arsyet që Zhang mund të detyrohet të heqë dorë nga Interi ishte edhe urdhri i qeverisë kineze që asnjë shtetas kinez të mos kishte sipërmarrje të huaja që nga janari i vitit të ardhshëm dhe ngelet për t’u parë nëse pas rritjes së ndikimit të 59-vjeçarit, diçka mund të ndryshojë edhe në vendimet e të birit të tij Stiven në lidhje me Interin.