Nuk ka kohë për festë, duhet të kapim kreun”, monstra Barela: Po i mësoj Lukakut si të stopojë topin

Është një version lider i Nikolo Barelës, që po e tërheq Interin në garën për kreun e renditjes. Mesfushori, i cili kishte përfunduar në stol në ndeshjen e parë kundër Bajernit falë një derbi zhgënjyes dhe qëndrimeve disi mediokre në fushë, tani është lider i një skuadre të uritur, që ka fituar ndeshjen e katërt radhazi në Serie A, të gjashtën.

Në shtatë të fundit, duke përfshirë Champions-in. 25-vjeçari ka qenë protagonist absolut me tre gola radhazi në kampionat, por shënoi edhe një gol shumë të rëndë në 3-3 ndaj Barcelonës. Në një kohë kur Interi pritej të kishte vështirës prej mungesës së Brozoviçit, ishte Barela ai që mori përdore shokët.

“Po luajmë mirë, sepse kemi gjetur besimin që na ka munguar në fillim të vitit për arsye të ndryshme. Është bukur të luash me këtë cilësi, me këtë dëshirë dhe këtë qëndrim”, deklaroi numri 23 pas suksesit ndaj Sampdorias.

GOL I ÇMENDUR – Goli i tij, ai që lejoi Interin të shkonte në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0, ishte jashtëzakonisht i bukur dhe dukej një fotokopje e golit të nënshkruar nga Barela në një asistim nga Bastoni kundër Juventusit më 17 janar 2021, viti i titullit. Me 6 gola, 5 prej të cilëve në Serinë A: rekordi i karrierës së tij në kampionat, 6 golat e 2017-‘18 me Kaljarin, është vetëm një hap larg, por Nikolo nuk është nga ata që emocionohet: “Do t’i shikoj pamjet në shtëpi, por u kënaqa kur dëgjova Xhekon duke më bërtitur ‘O monstër’ (qesh). Bastoni është shumë i zoti në disa pasime dhe e falënderoj. Ai dhe të tjerët e dinë që unë e ndjek atë lloj lëvizjeje dhe më kërkojnë shpesh. Stopim perfekt? I thashë Lukakut me shaka… “Ja kështu stopohet topi”.

IDHULLI STANKOVIÇ

Goli kundër Sampdorias do ta kujtojë me më shumë dashuri se të tjerët, sepse ai e firmosi para Stankoviçit, idhullit të tij të fëmijërisë. “U përqafuam me të, sepse ai e di shumë mirë se çfarë përfaqëson për mua.

Shpresoj më të mirën për Dejanin dhe ai shpreson të njëjtën gjë për mua. Kur isha fëmije kam qenë i frymëzuar prej tij dhe u rrita duke u përpjekur ta imitoja”, zbuloi Barela.

Lider në fushë, por edhe jashtë saj. Si i tillë nuk mund të mungonte edhe një thirrje për shokët, të cilët i fton të japin edhe më shumë.

“Golat janë rezultat i lojës dhe kur ekziston ky entuziazëm, gjithçka është më e lehtë. Duhet të vazhdojmë kështu. Tani ka më shumë qetësi para portës, edhe nga ana ime.

Shokët po më japin këto mundësi dhe unë vetëm mund t’i falënderoj dhe t’i ndihmoj me paraqitjet e mia. Po shënojmë shumë dhe duhet të vazhdojmë kështu sepse kjo është rruga e duhur”, përfundoi mesfushori zikaltër.