“Reagojmë me Salcburgun, fjeta në klub për të gjetur gabimet”, Pioli rrëfehet pas rinovimit me Milanin: Mendoj për…

Stefano Pioli ka qenë dje në “Casa Milan”. Vizita i detyrohet rinovimit të kontratës së tij, e cila skadon në fund të sezonit aktual. Afati i ri, që tashmë është zyrtar, do të jetë 30 qershori i 2025-ës, teksa rroga duhet të kalojë 4 milionë eurot (3.5 plus bonuse) ndërkohë që aktualisht është 3 milionë. Më pas, 57-vjeçari ka dhënë edhe një intervistë për televizionin e klubit, duke folur për mangësitë e humbjes me Torinon dhe synimet në kuadër të sfidës kundër Salcburgut.

Si ndiheni pas këtij rinovimi?

Të firmosësh një rinovim ka emocionet e veta dhe kjo firmë vjen në situatën që dëshiroja. Falënderoj klubin dhe drejtuesit për shpejtësinë e akordit, që më karikon akoma edhe më tepër në kuadër të punës sime.

E imagjinonit të fitonit titullin në fillim të rrugëtimit tuaj?

Jam optimist nga natyra dhe kam besuar te puna jonë që ditën kur kapërceva kangjellat e “Milanello”-s për herë të parë. Më pas, kur stërvit Milanin duhet të synosh gjithmonë suksesin dhe trofetë.

Çfarë është Milani tashmë për Piolin?

Më ka hyrë në gjak dhe me këtë ndjesi zbres në fushë. Milani më emocionon, por edhe më ngarkon me përgjegjësi. Jam i lumtur për këtë aventurë dhe gjithmonë do të jap më të mirën time.

Çfarë shije ju ka lënë humbja me Torinon?

Shumë zhgënjim pasi e dinim se mund të bënim më mirë. E prisnim të ishte një ndeshje e pistë, e vështirë dhe e vendosur në planin fizik. Në pjesën e dytë bëmë diçka më shumë se në të parën dhe goli erdhi shumë më vonë nga sa do të kishim dashur.

Sulmi juaj vuajti si kurrë më parë…

Na vunë në vështirësi me presionin e tyre dhe nuk e zhvilluam dot manovrën siç e kishim planifikuar. Edhe sulmuesit nuk lëvizën siç duhej, ndërsa mesfushorët nuk i sulmuan hapësirat. Në fazën pa top hasëm vështirësitë më të mëdha.

Mos menduat më shumë seç duhej për Champions-in?

Absolutisht jo. Ajo që di është se taktikisht dhe teknikisht mund të kishim bërë më tepër. Për të përgatitur më mirë ndeshjen e Champions-it nevojitej një rezultat pozitiv në Torino.

Si do ta përgatisni ndeshjen me Salcburgun?

Fjetëm në qendrën stërvitore dhe patëm kohë gjatë gjithë ditës për të planifikuar sa më mirë ndeshjen e radhës. Është ndeshja më e rëndësishme e gjysmës së parë të sezonit dhe do ta përgatisim me mendësinë e duhur.

Cilat janë qëllimet për të ardhmen?

I yni duhet të jetë një rrugëtim në zhvillim të vazhdueshëm. Duhet të jemi ambiciozë duke e ditur se sa shumë mund kërkon suksesi. Duhet të jemi të fiksuar pas idesë për të fituar çdo ndeshje. Vetëm kështu mund të qëndrojmë në nivele maksimale.