Ançeloti në mbrojtje të brazilianit pas ndeshjes kundër Vajekanos: Vini merr shkelma e grushte, por respektojeni

Objektivat ishin të tjerë, por teksa Reali do të luajë 90 minutat e fundit në La Liga para nisjes së Botërorit në Katar, skuadra e Ançelotit e sheh veten -5 nga Barcelona. Ndaj ndeshja kundër Kadizit tingëllon si një finale Champions-i për Madridin, i dënuar të fitojë për të mos humbur terren nga Barça kryesuese.

Këtë fakt e ka përmendur dhe trajneri Ançeloti në konferencën për shtyp para ndeshjes. Karlo është ndalur dhe te tema të tjera, pa harruar Viniciusin, i kthyer sërish në vëmendje pas trajtimit plot “delikatesë” nga Ivan Balliu në humbjen e Realit përballë Vajekanos të hënën e kaluar.

NDESHJA – “Kjo është ndeshja e fundit e vitit dhe ato që zakonisht nuk harrohen lehtë. Duam ta mbyllim me fitore, jemi të detyruar të fitojmë pas humbjes me Vajekanon”.

GJENDJA E BENZEMASË – “Personalisht nuk kam ndonjë gjë të madhe për të thënë. Nëse ka një person që është i zhgënjyer në këtë mes është Benzema. Ai e ndien përgjegjësinë që nuk ka mundur të ndihmojë skuadrën. Nëse nuk po luan do të thotë se nuk mundet”.

VINICIUS – “Jam dakord, duket sikur Vinicius është provokator dhe është ai që merr më shumë faulle, më shumë grushte e shkelma nga rivalët… Por realiteti është tjetër gjë. Nuk mund të mos e respektoni si futbollist dhe si person. Në Spanjë flitet shumë pak për lojën e ndershme, ndryshe nga vendet e tjera”.

ECURIA – “Fundi nuk ka qenë shumë i mirë, na ka shqetësuar disi. Mendoj se humbja ndaj Lajpcigut ka ndikuar vërtet, por pjesa tjetër e sezonit ka qenë shumë e mirë. Ia arritën qëllimit për të përfunduar të parët në Ligën e Kampioneve, ndërsa në La Liga na kanë kushtuar disa mungesa si Benzema apo Kurtua. Unë nuk jam këtu për të kërkuar justifikime, megjithëse pjesa e fundit nuk ka qenë e mirë dhe duam ta lëmë pas me ndeshjen ndaj Kadizit”.

ARSYET E RËNIES – “Vërehet nga mungesa e ndeshjeve nën këmbë nga lojtarët që janë aktivizuar më pak. Kjo është krejt normale”.

BENZEMA FSHIHET? – “Është vërtet e pakuptimtë ta shohim në këtë prizëm. Një lojtar dëshiron të mbërrijë në Botëror në formën e vet më të mirë. Forma mbahet duke u aktivizuar rregullisht. Nëse dikush e mendon ndryshe, nuk kam çfarë të shtoj më shumë”.

LOJTARËT DHE BOTËRORI – “Unë nuk shoh lojtarë që zbresin në stërvitje, por me mendje nga Botërori. Kam folur me të gjithë nga pak dhe tema e Botërorit nuk është përmendur asnjëherë. Kampionati botëror aty është, aty ishte. Vetëm një muaj më parë situata ishte e njëjta, por skuadra po luante shumë më mirë”.

“KATAR 2022”  “Unë nuk e gjykoj apo paragjykoj zhvillimin e kampionatit botëror në Katar. Unë thjesht mendoj se ai është ndryshe nga ata që jemi mësuar zakonisht. Ky kampionat luhet në dimër dhe gjërat ndryshojnë disi, por ishte e pamundur të luhej në verë. Nuk kishte shumë data në dispozicion. Mendoj se do të jetë një Botëror argëtues dhe lojtarët do të arrijnë mirë. Më i miri do të fitojë”, ka thënë Ançeloti.