Shpërthimi terrorist në Stamboll ‘nxeh’ tensionet mes Greqisë dhe Turqisë, analistët: Do përdoret nga Erdogan për të…

Shpërthimi terrorist në Stamboll ka risjellë një motiv për Turqinë që të përplaset sërish me Greqinë.

Mediat greke i kanë bërë jehonë deklaratave të ministrit të Brendshëm të Turqisë, Suleiman Soylu, i cili mëngjesin e së hënës (14/11) tha se nëse gruaja që është arrestuar si autore e shpërthimit në Stamboll nuk do të ishte arrestuar nga autoritetet, ajo do të kishte arratisur në mënyrë klandestine ndaj Greqisë.

Sipas mediave turke, autorja e sulmit terrorist të së dielës është një grua nga Siria, e cila dyshohet se ka rrëfyer se është trajnuar nga luftëtarët kurdë dhe ka kaluar në Turqi – përmes rajonit veriperëndimor të Sirisë, Afrin, për të kryer sulmin terrorist në Stamboll.

Autoritetet besojnë se gruaja ka marrëdhënie me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit ( PKK ), e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga Turqia , SHBA dhe BE.

“Vetëm të shtunën e kaluar, presidenti turk Tajip Erdogan nisi një sulm kundër Greqisë, duke e akuzuar atë për mbështetjen e organizatave terroriste përmes qendrës së pritjes në Lavrio. Së fundmi, në kuadrin e përkeqësimit të marrëdhënieve me Greqinë, Ankaraja pretendon në mënyrë sfiduese se në kampin e Lavrios rekrutohen dhe trajnohen anëtarë të PKK -së , të cilët më pas kthehen në Turqi për të organizuar dhe kryer akte terroriste, akuza që Athina i ka mohuar kategorikisht.

Analistët vlerësojnë se incidenti në sheshin Taksim do të përdoret nga Erdogan për të ushtruar presion ndaj Greqisë, si për “kampin e trajnimit” të supozuar në Lavrio, ashtu edhe për dorëzimin tek autoritetet turke të kurdëve, si dhe të arratisurve të FETO-s – Gulenistët – që jetojnë në vendin tonë”, shkruan Protothema.

Qeveria greke ka reaguar me një përgjigje për ministrin e Brendshëm turk Suleiman Soylu, lidhur me deklaratat e tij se nëse nuk do të arrestoheshin autorët e dyshuar të shpërthimit në Stamboll, “ do të kishin ikur në Greqi”.

Zëdhënësi i qeverisë Giannis Oikonomou deklaroi se qeveria është kundër çdo akti terrorist dhe dënoi sulmin.

“Qeveria është e vendosur kundër çdo akti terrorizmi, aktet si ato në Stamboll janë absolutisht të dënueshme” , tha ai dhe sqaroi se “ vendi ka një front të hapur me çdo manifestim terrorizmi kudo në botë”.

Në të njëjtën kohë edhe ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodorikakos duke sqaruar përmes SKAI-t tha se “Greqia mbron mirë kufijtë e saj dhe nuk do të pranonte kurrë terroristë në territorin e saj”.