Lionel Skaloni dhe Argjentina kanë sot në mbrëmje një provë zjarri ndaj Polonisë, në ndeshjen e fundit të grupit që do të jetë vendimtare për sa i përket kualifikimit, për të cilin çdo skenar është i mundshëm në Grupin C. Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri foli mbi atë që pret nga kjo sfidë, duke treguar edhe përshtypjet e tij mbi rrugën që i pret në rast kualifikimi, pa lënë mënjanë duelin Leva-Mesi dhe emrat e përveçëm të skuadrës së tij.SFIDA – “Presim një ndeshje të vështirë. Polonia është një ekip që mbyllet shumë mirë dhe gjithashtu krijon situata të vështira për t’u përballuar në zonën kundërshtare. Ideja jonë është shumë e qartë, do të përpiqemi të mbrojmë topin dhe të jemi të përqendruar. Nuk e di ende si do të pozicionohet skuadra, por nuk mendoj se do të ndryshojë shumë nga ajo që pamë me Meksikën. Kam marrë përgjigjet e duhura gjatë këtyre ditëve dhe mendoj se jemi gati. Ajo fitore me Meksikën na injektoi shumë besim dhe mbi të gjitha na lejoi që ta kemi fatin në dorë tonë”.
LEVA DHE AIMAR – “Levandovski është një lojtar i madh, është një privilegj dhe kënaqësi të mund ta shoh nga afër si çdo tifoz. Nëse është në të njëjtin nivel me Mesin? Duhet t’i shijojmë të dy, nuk kemi pse i krahasojmë me njëri-tjetrin, janë të padobishme këto gjëra. Lotët e Aimar te goli? Unë isha duke folur me të për zëvendësimet dhe mënyrën si duhet të luanim, nuk e kuptova në atë moment çfarë po ndodhte. Ai kishte festuar për golin dhe ishte mbytur në emocione, por unë e kuptova vonë. Është një episod i bukur që do të na ngelet në kujtesë gjithmonë”.
BRAZILI DHE FRANCA – “Brazili? Unë jam fans i futbollit amerikano-jugor dhe nëse ka që mendojnë që nuk më bëhet qejfi për ecurinë e Brazilit e kanë gabim. Nëse nuk do të jemi ne ata që do ta fitojmë trofeun, do të doja që të ishte një skuadër e kontinentit tonë, pa dyshim. Nëse kualifikohemi mund të ndeshim Francën? Tani mendojmë vetëm për t’u kualifikuar, pastaj do të shohim. Pa nënvlerësuar asnjë ekip, asnjë skuadër nuk e ka luksin të zgjedhë kundërshtarët”.
INDIVIDËT – “Paredes ka qenë gjithmonë me ne dhe konsiderata për të është maksimale. Ai ka qenë gjithmonë i përfshirë, kemi besim tek ai. Dibala? Fakti që ai nuk luan është një vendim teknik. Paulo është mirë, është gati dhe dëshiron të jetë në fushë si të gjithë, por do të shohim në ndeshjet e ardhshme. Edhe Enzo Fernandez ka të njëjtat shanse për të luajtur si të tjerët, ka treguar se di të bëjë mirë sa herë që ka hyrë dhe është nga ata që të jep një sërë zgjidhjesh në dispozicion. Ndonjëherë disa lojtarë bëjnë më mirë kur hyjnë nga stoli”.