Markus Rashford u bë futbollisti i parë i Mançester Junajtidit, i cili shënon 3 gola në një Botëror/Europian për Anglinë që prej Bobi Çarltonit në Botërorin e 1966-ës. Sulmuesi i Mançester Junajtidit u ngjit në kuotën e 3 golave këtë Botëror, po aq sa Kilië Mbape (Francë), Kodi Gakpo (Holandë) dhe Ener Valencia (Ekuador) në garën për “Këpucën e Artë” të turneut.GOL ME DEDIKIM – Ai festoi duke bërë me shenjë me duar nga qielli dhe pas ndeshjes tregoi përse… “Humba një nga shokët e mi pak ditë më parë pas një beteje të gjatë me kancerin. Jam i kënaqur që shënova për të. Ai ishte një tifoz i madh dhe shok i mirë imi”. Më pas sulmuesi u ndal të komentonte paraqitjen e tij kundër Uellsit:
“Është sigurisht një ndjesi e shkëlqyer. Ne ishim të zhgënjyer pas ndeshjes së fundit. Mund të kishim luajtur shumë më mirë me SHBA-në.
E vetmja mënyrë për t’u rikthyer është ndeshja e radhës. Këto janë momentet për të cilat luaj futboll.
Jam shumë i lumtur për kualifikimin në raundin tjetër, sepse unë kam një ambicie shumë të madhe për këtë skuadër dhe mendoj se mund të shkojë shumë më larg”.
Golin e tij të parë me goditje dënimi, ai e komentoi kështu:
“Fantazova një gol të tillë në pjesën e parë, por në pjesën e dytë isha në një pozicion më të mirë. Rëndësi ka të qëndrosh i qetë dhe të ekzekutosh siç bën në stërvitje”.
Ai tregoi edhe se çfarë i tha trajneri në pushimin e pjesës së parë:
“Në pushim Garet tha se ne kishim luajtur mirë, por duhet të godisnim më shumë portën.
Mendoj se bëmë vetëm dy apo tri goditje. Donim të vinim më shumë në punë portierin dhe të ishim në zona më të rrezikshme. Mendoj se e bëmë në pjesën e parë, por në të dytën u treguam të saktë”.
Statistikat – 25-vjeçari shënoi golin e tij të parë me goditje dënimi për Anglinë dhe ky ishte edhe goli i parë në këtë Botëror në këtë mënyrë.
Në fakt, dy golat e fundit me goditje dënimi në një Kupë Bote janë shënuar nga futbollistët e Anglisë, pas atij të Kieran Tripierit në gjysmëfinalen e 2018-ës kundër Kroacisë.
Goli i dytë i Rashfordit ishte i 100-ti për Anglinë në një Botëror.