Krimi para dy dekadash/ Nga ekzekutimi me kallash për vrasjen e 9-vjeçarit te kërkesa për ekstradim të dytë nga Britania, kush është i akuzuari

Më shumë se dy dekada pas një vrasjeje të dyfishtë, Prokuroria e Fierit ka mbyllur dosjen dhe kërkuar dënimin me 23 vite burg të autorit të ngjarjes.

Krimi i rëndë ndodhi në fshatin Cakran më 26 shtator të vitit 1999, ku mbetën të vrarë vëllezërit Gramos dhe Shkëlqim Llanaj.

Autori i dyshuar i ngjarjes është 50-vjeçari, Ilirjan Zeqaj, i cili aktualisht ndodhet në Britani të Madhe.

Zeqaj është shpallur fajtor për akuzën e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të jepet gjatë kësaj jave.

PING-PONGU” NË GJYKATA

Zeqaj, i cili aktualisht ndodhet në Britani përballet për herë të dytë me ekstradimi, pasi hyri në hyri në Mbretërinë e Bashkuara fshehurazi dy herë dhe madje mori nënshtetësinë me një emër të rremë.

“Daily Mail” shkruante gjatë muajit nëntor të këtij viti, se Zeqaj ishte arratisur nga vendi i lindjes pesë muaj pas krimit dhe kërkoi azil në Britani të Madhe me emrin Klemend Zeqaj, duke u thënë zyrtarëve atje se ishte refugjat nga Kosova.

Pavarësisht se ishte një nga të arratisurit më të kërkuar në Shqipëri, atij iu dha leja e përhershme për të qëndruar në vitin 2005 dhe shtetësia britanike vitin më pas.

Ai u dënua në mungesë për dy akuza për vrasje në vitin 2002 dhe u dënua me 23 vjet burg.

Zeqaj, i cili ka tre fëmijë, përfshirë një vajzë që ndjek Universitetin e Kembrixhit, u gjurmua nga policia britanike në vitin 2011 dhe u ekstradua në Shqipëri dy vjet më vonë për t’u përballur me rigjykimin, i cili e liroi atë nga akuzat për vrasjet. Ai u lirua dhe u kthye menjëherë në Britani, por Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi më 10 maj të vitit 2017 prishjen e vendimin dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Fierit me një tjetër trup gjykuese, ndërsa la në fuqi vendimin për të akuzuarin tjetër, Jetnor Zeqajn.

Ndërkohë që ndodhet ende në Britani, babai i tre fëmijëve përballet me rikthimin në vendlindje, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës së Fierit.

KRIMI

Vëllezërit Ilirjan dhe Jetnor Zeqaj, vranë me armë zjarri shtetasit Gramos dhe Shkëlqim Llanaj, ngjarje e ndodhur më 26 shtator të më shumë se 20 viteve më parë. Në vendimin e Gjykatës së Lartë jepen dy versione të ndryshme për vitin e vrasjes, njëherë në vitin 1998 dhe një herë në vitin 1999.

Vëllezërit Llanaj po shkonin për në postin e fshatin, kur u përballën me breshërinë e plumbave, tri ditë pas vrasjes së një fëmije nga radhët e familjes Zeqaj.

“Të pandehurit Jetnor Zeqo dhe Ilirjan Zeqo janë banorë të fshatit Cakran dhe akuzohen si autorë të vrasjes së bashkëfshatarëve të tyre Gramoz dhe Shkëlqim Llanaj, në shenjë hakmarrje, për vrasjen e djalit të mitur të të pandehurit Jetnor, nga nipi i viktimave.

Si pasojë e vrasjes së të miturit, të dy familjet, të cilat banonin jo shumë larg njëratjetrës kanë hyrë në hasmëri, rrethanë kjo që kishte krijuar një situate tensioni në fshat, duke bërë që anëtarët e dy familjeve të shmangnin përballjet me njëra-tjetrën. Rreth orës 10:00 të datës 26.09.1998, viktimat Gramoz dhe Shkëlqim Llanaj kanë dalë nga banesa e tyre për të shkuar tek posta e fshatit, me qëllim për të folur me Flamurin (babain e Santiljanos, autori i vrasjes së 9-vjeçarit Engjëllush Zeqajt) dhe ndërkohë janë porositur nga babai i tyre, Neki Llanaj, që të mos kalonin pranë shtëpisë së të pandehurit Jetnor, por, për siguri të kalonin një rrugë tjetër.

Pas nisjes së djemve, nga meraku, dëshmitarët Neki Llanaj, vajza e tyre Daniela Llanaj, bashkëshortja dhe nusja e Shkëlqimit kishin dale në ballkonin e banesës duke ndjekur lëvizjen e djemve.

Në një moment ato kanë dëgjuar krisma dhe nga vendi ku ato ndodheshin kanë parë të pandehurin Ilirjan Zeqaj me një armë mitraloz të lehtë në dorë, i cili menjëherë pas krismave është larguar në drejtim të shtëpisë së tij.

Ndërkohë i pandehuri tjetër Jetnor Zeqaj, me një automatik në dorë, është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës. Mbas ndërprerjes së krismave dëshmitarët kanë vajtur në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur të shtrirë në tokë Gramozin dhe Shkëlqimin”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë. Prokurori Petrit Vukaj ka lëshuar një urdhër të ri arresti dhe Zeqaj është shtuar në listën e të kërkuarve të Interpolit.

Më pas, ai u kap nga autoritetet britanike.