“Në ‘Maradona’ ndeshjet nuk mbarojnë kurrë”, Alegri ia lë “topin” Napolit: Spaleti i detyruar të fitojë

Pas fitoreve radhazi falë mbrojtjes solide, Juventusi do të ketë sot ndaj Napolit një provë force vendimtare. Masimiliano Alegri nuk pranon këtë përkufizim mbi takimin, por e di fort mirë se me një fitore do të rihapte gjithçka. Të paktën kështu u duk nga fjala e tij, dje në konferencë për shtyp, ku nuk munguan edhe batutat e thumbimet ndaj kolegut dhe rivalit, Luçiano Spaleti.Alegri, cila është gjendja e skuadrës?

Kemi punuar mirë këto tri ditë dhe besoj se jemi në gjendjen e duhur. Sidoqoftë, përgjigjet do t’i marrim në fushë. Skuadra ka ndryshuar qasje dhe kjo po pasqyrohet në rezultate. Nga të dëmtuarit nuk ka rikthime deri të martën, por situatat i vlerësojmë çdo ditë. Ndoshta me Atalantën do të ketë disa rikthime të rëndësishme.

A mund të jetë Kieza titullar ndaj Napolit?Nëse e di që mund të jetë vendimtar edhe nga stoli mund të mos e përfshij në formacion, por siç thashë do të bëjmë vlerësimet e fundit përpara takimit. Rëndësi ka të mos mendojmë për pikët që kemi lënë rrugës në pjesën e parë të sezonit dhe të fokusohemi tek e tashmja.

Përse kaq drastik?

Sepse futbolli është i tillë. Mund të bësh mirë sa të duash, por pasi fiton apo humb një ndeshje nuk duhet ta mendosh më. Duhet të shohim përpara, të mbajmë një profil të ulët dhe të punojmë. Ka shumë aspekte të lojës sonë që duhen përmirësuar ashtu siç edhe djemtë duhet të përmirësohen individualisht.

Si e shpjegoni që Juvja rritet shumë në pjesët e dyta? Është meritë juaja?

Po, imja dhe stafit. Të kujt tjetër?! Nëse skuadra rritet do të thotë se është mirë fizikisht, por ndaj Napolit pres diçka më shumë sepse ndeshjet në “Maradona” nuk mbarojnë kurrë. Te Napoli janë të fortë dhe kanë një organizim shumë të mirë.

Mos duhet të presim ndonjë “alegrizëm”?

Nuk kemi përgatitur ende asgjë, edhe sepse në ndeshjet e fundit nuk është se rivalët na kanë vënë në vështirësi të mëdha. Formacionin do ta vendos para takimit dhe shpresoj të bëj zgjedhjet e duhura sepse do të luajmë në një stadium të stërmbushur. Sidoqoftë, edhe pse shumë e rëndësishme, ky duel nuk është se vendos titullin kampion.

Çfarë përfaqëson për Juventusin kjo sfidë atëherë?

Është një ndeshje e zakonshme kampionati dhe ne paraqitemi me rezultate të shkëlqyera. Më shumë sesa për ne, kjo ndeshje vlen për Napolin. Ne duhet të mendojmë të blindojmë sa më shpejt zonën Champions, duke luajtur me intensitet dhe zgjuarsi ndaj ekipit më të fortë të Serisë A.

Pse është më e rëndësishme për Napolin. Mos ndoshta ndiheni inferior kundrejt Spaletit?

Luçianon e vlerësoj shumë, edhe pse ndonjëherë grindemi. Spaleti është shumë i aftë, por në të njëjtën kohë edhe qesharak e zbavitës, prandaj më pëlqen kur sfidohem me të. Pastaj, unë kam përfunduar së bëri rolin e trajnerit rastësisht, pasi nuk doja që të bëja këtë profesion…

Një fitore me Napolin vlen për ju, por edhe për të përshëndetur në mënyrën më të mirë presidentin Anjeli në ditën e fundit të mandatit…

Çfarë të them për presidentin. Për të flasin faktet në këto 12 vite. Unë mundem vetëm që ta falënderoj për mundësinë që më ka dhënë për të stërvitur Juven dhe për të punuar krah tij për shumë sezone.