Italia s’ka ligj për plusvalencat, hetimi i radhës për pagesa nuk lë shpëtim. Ja ku shpreson Juventusi

Juventusi u godit shumë ashpër nga Gjykata e Apelit të Federatës Italiane të Futbollit, pasi çështja e rihapur mbi plusvalencat fiktive, i dënoi me humbjen e 15 pikëve në renditje, të cilat duhet të shlyhen që në këtë sezon. Disi absurd është fakti që ky sanksion është edhe më i rëndë se kërkesa e prokurorit Xhuzepe Çine.Klubi bardhezi ka njoftuar se do të apelojë në Kolegjin e Garancisë Sportive, në “CONI” dhe do të mund ta bëjë këtë brenda 30 ditëve nga publikimi i argumentimit të dënimit. Në pritje të kësaj, tani pyetja më e madhe që shtrohet edhe se ku mund të mbahet Juventus dhe të shpresojë në marrjen e pafajësisë.

Sigurisht që për të hedhur poshtë akuzat do të jetë shumë e vështirë, por ja cilat dy anët e medaljes.

PSE NUK ANULOHET Ndonëse Juventusi nuk është klubi i vetëm që ka shfrytëzuar plusvalencat për të fryrë buxhetin, apo për të mbuluar fiktivisht borxhin në rritje, përgjimet mes drejtuesve, të cilët pranojnë se është abuzuar bindshëm me plusvalencat, janë prova e pakundërshtueshme.

Pika e dytë është se mes 62 transferimeve të “inkriminuara”, më shumë se gjysma i përkisnin Juves me klube të tjera italiane dhe jo vetëm.

Dhe së treti, përveç plusvalencave, Juvja po hetohet edhe për fshehje të pagave, një akuzë edhe më e rëndë sesa plusvalencat, e cila gjithashtu është në hetim dhe çështja do të shtrihet dhe do të argumentohet në ditët në vazhdim.

PSE MUND TË ANULOHET Shpresat e Juves lidhen pikësëpari nga fakti që shkalla e parë e dënimit i ka shpallur ato të pafajshëm, pasi legjislacioni sportiv italian nuk ka një normë që të saktësojë nëse vlera e një lojtari është e saktë apo e fryrë.

Dhe në “CONI”, bardhezinjtë do të mbështeten fort pikërisht në pikën e legjitimitetit. Madje, edhe sikur në “CONI”, ku gjykata ose konfirmon, ose zeron vendimin, por nuk mund të ulë pikët, do të pranonte dënimin me 15 pikë, “Zonja” ka shanse në tri shkallët e tjera.

E para është Gjykata Administrative e Lacios (TAR), më pas Këshilli i Shtetit dhe së fundmi në “KAS” të Lozanës.

Pikërisht në këtë të fundit, edhe sikur Juvja të ketë parë konfirmimin në dy shkallët e tjera, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, mund ta anulonte vendimin, pasi ajo bazohet fort mbi legjitimitetin e marrjes së një vendimi.

Që do të thotë, nëse Federata Italiane e Futbollit nuk ka një ligj që të frenojë fryrjen apo tkurrjen e vlerës së një lojtari, si mund të dënojë një skuadër për këtë gjë, pavarësisht se mund të ketë bërë një ose 50 transferime të tilla.

Për më tepër, si ka mundësi që shkalla e parë e Gjykatës Sportive italiane në “FIGC” e nxjerr të pafajshëm, ndërsa Apeli i të njëjtit institucion e dënon, madje edhe me një sasi pikësh më të madhe sesa kishte kërkuar prokurori.

Federata, e cila do të jetë pala e akuzuar nga Juventusi, nuk mund të paraqitet dhe të mbrohet pa pasur një ligj, edhe sikur atë ta zyrtarizojë sot, apo në të ardhmen.

Madje, federata italiane mund të bënte edhe një figurë të caktuar, duke u akuzuar nga “KAS”-i për një vendim të njëanshëm, duke parë që edhe ekipe të tjera në Serinë A, B dhe C kanë kryer plusvalenca fiktive.