Rregullorja, si do përgatiten tezat e provimeve. Përzgjedhja e pyetjeve përmes teknologjisë dixhitale

Përcaktohen rregulla të reja, lidhur me përgatitjen e testeve të Maturës. Mbi bazën e një vendimi të marrë nga Ministria e Arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA-ja) do të ngrejë grupet sipas lëndëve, për hartimin e fondit të pyetjeve, sipas kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi dhe rregullores së brendshme të institucionit.

Anëtarët e grupeve lëndore në kontratën që nënshkruajnë me QSHA-në marrin përsipër të ruajnë sekretin e hartimit të fondit të pyetjeve dhe të mos jenë në konflikt interesi.

Fondi i pyetjeve është jo më i vogël se dhjetëfishi i pyetjeve që do të përmbajë testi përkatës. Fondi i pyetjeve për provimin e teorisë profesionale të integruar, për Maturën Shtetërore Profesionale të përgatitet me 4 teste alternative për drejtimet/ profilet dhe të përzgjidhet vetëm një test për provim.

QSHA-ja ngre grupet e punës, për hartimin e testeve të Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale, sipas kualifikimeve profesionale të cilat miratohen me udhëzim të posaçëm. Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës, do të bëhet përmes teknologjisë dixhitale, nga specialistë (PTP) të caktuar me urdhër të QSHA-së. Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve do të bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara të QSHA-së.

Të drejtën e përzgjedhjes dhe hartimit të testit përfundimtar të provimeve të Maturës (sesioni i parë dhe i dytë) e kanë vetëm PTP-të. Specialistët e QSHA-së nuk kanë të drejtë të përzgjedhin, sugjerojnë, ndryshojnë testet e provimeve të maturës. Pas hartimit të testeve përfundimtare kryhet shumëfishimi dhe paketimi i testeve të maturës nga punonjësit e caktuar me urdhër të QSHA-së.

PLOTËSIMI I FORMULARËVE A1/A1Z 1

Plotësimi i formularit A1 nga maturantët e këtij viti shkollor bëhet në shkollat ku ata kryejnë arsimin e mesëm të lartë dhe arsimin e mesëm të lartë profesional. Plotësimi i formularit A1Z, nga maturantët e viteve të mëparshme (kandidatët), bëhet në shkollat ku ata kanë kryer arsimin e mesëm të lartë. Në rastin kur shkolla e mesme është mbyllur, Komisioni i Maturës Shtetërore cakton një shkollë të vetme, në të cilën kandidatët bëjnë plotësimin e formularit A1Z.