Interi dhe Atalanta do të për ballen sot në mbrëmje në ndeshjen që do të vendosë gjysmëfinalistin e parë të Kupës së Italisë, një ndeshje që përveç të tjerave do të shikojë në fushë dy lojtarët e Kombëtares, Kristjan Asllanin dhe Berat Gjimshitin.Mesfushori i Interit pritet të marrë vendin e Çalhanoglusë në regji, një mundësi jo vetëm për elbasanasin, por edhe për të pushuar për turkun në prag të derbit.
Përballë Atalantës, Kristjani ka kujtime fantastike, të paktën në sektorin e të rinjve të Empolit, pasi falë golit dhe asistit të tij Empoli fitoi kampionatin e të rinjve ndaj bergamaskëve me rezultatin 5-3.
Por duke iu rikthyer elitës së futbollit italian, mesfushori e ka ndeshur vetëm një herë Atalantën në sezonin e kaluar të Serisë A, kur Empoli i tij arriti të fitonte.
Një tjetër fitore mori Interi në nëntor përballë skuadrës së Gasperinit, por Asllani nuk ishte pjesë e suksesit në fushë, një sukses që do të synojë ta arrijë mbrëmjen e sotme, kësaj here si protagonist brenda kuadratit të gjelbër.
GJIMSHITI – Në 90 minutat e nëntorit në kampionat nuk ishte në fushë as Berat Gjimshiti, që tani është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe ka rimarrë rolin e tij në prapavijën bergamaske.
Mbrojtësi shqiptar e ka sfiduar plot 10 herë Interin gjatë karrierës së tij, të gjitha ndeshje të luajtura në Serinë A me bilancin që flet për 5 humbje, 4 barazime, e vetëm 1 fitore, në të cilën 29-vjeçari kontribuoi edhe me një gol përveç paraqitjes fantastike në mbrojtje.
Duke lënë mënjanë të shkuarën, kjo është hera e parë që dy shqiptarët përballen mes tyre në një ndeshje me eliminim direkt dhe këtë herë paraqitja e secilit vlen rrugën drejt trofeut.
Me Lukakun që mund të rikthehet titullar, Gjimshiti duhet të ndalojë dy gjigandë si belgu e Xheko, ndërkohë që duhet të ketë kujdes edhe nga silurat e mikut të tij, Asllanit, që përveç goditjeve në portë, ka ditur të dhurojë gjithmonë edhe pasimet e duhura për shokët e skuadrës.