Drejtuesit përballen me Inzagin, pankina e italianit do të diskutohet në…

Fillimisht një fitore përballë Udinezes dhe më pas ndaj Portos është reagimi që kërkojnë tek Interi për t’i rikthyer në rrugën e duhur dhe këtë drejtuesit ia kanë bërë të qartë Simone Inzagit. Ditën e djeshme kanë qenë në “Pinetina” administratori i deleguar Xhuzepe Marota e drejtori sportiv Piero Auzilio, që bashkë me menaxherin e skuadrës, Rikardo Ferri, kanë pasur një mbledhje me trajnerin.Takimi në fakt nuk është cilësuar si emergjent, por situata e Interit duhej diskutuar mbi të gjitha pas atij barazimi ndaj Sampdorias.

Transferta e “Marasit” ka lënë patjetër shenjën e vet dhe ka lënë mbi të gjitha zhgënjim dhe keqardhje për dy pikët e humbura, që duke pasur parasysh rrezikun që i kanoset Interit në vendin e dytë, do të ishin shumë të dobishme.

Shumë mundësi të krijuara dhe të pashfrytëzuara, një nervozizëm në fillim pak i dukshëm, por më vonë i shpërfaqur në mënyrën më të pakëndshme të mundshme mes Lukakut e Barelës dhe zgjedhjet e bëra nga trajneri gjatë ndeshjes, ishin ato që nuk lejuan drejtuesit të rehatoheshin në tribunë.

Për të derdhur kupën e mbushur falë këtyre arsyeve, shërbeu qëndrimi që ultrasit zikaltër mbajtën.

“Curva Nord” doli me një komunikatë, në të cilën kritikonte direkt Simone Inzagin për zgjedhjet e bëra dhe qëndrimin e paraqitur gjatë gjithë sezonit, sidomos përballë skuadrave të vogla.

PRITSHMËRITË – Të gjitha arsyet e mësipërme kanë qenë objekt diskutimi në konfrontimin mes kryesisë dhe trajnerit, që gjithsesi duhet thënë që nuk është në vëzhgim dhe nuk po diskutohet momentalisht stoli.

Verdikti për të do të vijë pa dyshim në fund të sezonit, atëherë kur do të bëhet bilanci me kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Champions League, që është kusht i panegociueshëm.

Zhang ia ka transmetuar Marotës, e rrjedhimisht 46-vjeçarit atë që pret prej Interit. Vazhdimësia, vendosmëria dhe dhënia fund e luhatjeve duhet të jenë në bazën e paraqitjeve të zikaltërve në vazhdim.

Më pak zgjedhje “skolastike” të trajnerit dhe më shumë rreziqe të ndërmarra mund të jenë një strategji e re, sigurisht në varësi të kundërshtarit.

Nga ana tjetër, duke marrë parasysh episodin e Barelës e Lukakut, edhe skuadrës i është kërkuar një tjetër sjellje në fushë.

Përplasje ka në të gjitha ekipet, por tek Interi duan t’i shmangin ato në syrin e kamerave dhe synohet që çdo gjë të zgjidhet në dhomat e zhveshjes, si alternativa e vetme për ta bërë skuadrën të ecë përpara.