Ura e Kurçajt, një objekt i trashëgimisë që u restaurua dhe iu kthye komunitetit

Ura e Kurçajt u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019 dhe ishte në gjendje kritike para restaurimit. Programi “EU4Culture” shprehet se ura është një tjetër objekt i trashëgimisë kulturore, që u restaurua dhe iu kthye komunitetit. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Elva Margariti, ministre e Kulturës, Alexis Hupin, i ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Pamela Lama, drejtuese e Zyrës së UNOPS në Shqipëri dhe z. Artur Bushi, kryetar i Bashkisë Krujë. Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri vlerësoi bashkëpunimin dhe punën. “Ne jemi krenarë që punojmë me qeverinë e Shqipërisë dhe me partnerin tonë zbatues UNOPS, i cili po zbaton programin më të madh ndonjëherë për kulturën dhe rindërtimin në Ballkanin Perëndimor. Krahas parimit të “Ndërtojmë së bashku” dhe “Rindërtojmë më mirë” ne shpresojmë që në fakt kjo mundësi do t’i ofrojë komunitetit një shans për të demonstruar dhe treguar bukurinë e këtij peizazhi, por edhe për më shumë zhvillim ekonomik”, vuri në dukje z. Alexis Hupin. Ndërsa ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se po i kushtohet vëmendje edhe profesionit të restaurimit. “Ashtu siç kemi finalizuar restaurimin e kishave, duke vazhduar me ato të muzeve dhe urave si simbole të gjalla të të gjithë mozaikut të trashëgimisë kulturore shqiptare, po i kushtojmë vëmendje edhe zhvillimit të komuniteteve dhe profesioneve në fushën e restaurimit”, tha Margariti. Pamela Lama, drejtuese e Zyrës së UNOPS në Shqipëri në fjalën e saj u shpreh se falë kësaj ndërhyrjeje turistët mund të vizitojnë një zonë që nuk njihet mirë. “Ne e restauruam dhe ia kthyem këtë urë komunitetit, duke u mundësuar turistëve të vizitojnë dhe shijojnë këtë zonë mahnitëse të vendit që nuk njihet mirë”, tha ajo ndër të tjera. Ura e Kurçajt është siti i tretë i trashëgimisë kulturore i restauruar në programin “EU4Culture”. Në vitin 2022, Kisha e Manastirit në Rubik dhe Kisha e Shën Antonit në Kepin e Rodonit u restauruan në kuadër të “EU4Culture”, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.