Çfarë po ndodh në Mesdhe? Italia ngre alarmin dhe bën paralajmërimin e frikshëm: Po shtohen anijet ruse, rreziku për incidente është i lartë

Admirali Enrico Credendino, në seancën dëgjimore para Komisionit të Mbrojtjes të Dhomës është shprehur se Rusia ka një sjellje agresive të pazakontë në Mesdhe dhe po rrit flotën e saj të anijeve në detin që lag dhe Shqipërinë. Ai shtoi se ky numër i kaq i madh i anijeve të Moskës nuk është parë që prej Luftës së Ftohtë. Gjatë dëshmisë në Komisionin e Mbrojtjes të parlamentit italian, kreu i marinës detare tha se rusët i kanë hedhur sytë edhe nga deti Jon, duke paralajmëruar zhvillime të tjera.

Credendino tha se Marina italiane aktualisht është në gjendje të garantojë sigurinë, ndërsa shtoi se për këtë gjë, do të ishte e nevojshme të integrohen veçanërisht tre deri në gjashtë fregata anti-nëndetëse, dy anije kundërajrore, një aeroplanmbajtëse e dytë, një anije logjistike dhe dy nëndetëse.