Interi duhet të lërë pas humbjen me Bolonjën dhe duhet ta bëjë këtë menjëherë ndaj Leçes në fundjavë. Simone Inzagi e di tashmë se bonuset e tij kanë mbaruar dhe nuk mund të tolerohen më hapa falsë, duke marrë parasysh gjithë mungesën e vazhdimësisë që ka pasur gjatë këtij viti kalendarik.Superkupa e Italisë e fituar dhe qëndrimi në garë për Kupën e Italisë, nuk mjaftojnë për të përmbushur pritshmëritë e zikaltërve dhe kjo do t’i transmetohet edhe një herë tjetër trajnerit dhe skuadrës.
Sipas “La Gazzetta dello Sport” drejtuesit do të jenë sot në Apiano Xhentile për këtë dhe për të biseduar mbi atë që ndodhi në transfertën e Bolonjës.
Ashtu si konfirmoi edhe Marota në intervistën e tij të fundit dhe siç kanë pohuar disa herë drejtuesit, trajneri nuk rrezikon largimin, mbi të gjitha duke marrë parasysh se ka gjithë mundësitë për të pasur një rrugëtim përtej 1/8-ave në Champions League.
Sezoni i ardhshëm i këtij kompeticioni është testi më i madh momentalisht i Inzagit. Klubi nuk e ka fshehur që me arratisjen e Napolit, është vendi i dytë objektivi minimal dhe çdo pozicion tjetër do të konsiderohej një hap pas nga ai i një sezoni më parë.
Përfundimi si skuadra e dytë më e mirë e kampionatit do të ishte edhe siguria për pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, një objektiv që në Milanon zikaltër herë pas herë vendoset në dyshim, mbi të gjitha pas pikëve të lëna.
EFEKTI “CHAMPIONS” – Pavarësisht se vendi i dytë shikohet si detyrim, do të ishte përfundimi jashtë zonës “Champions” ajo që do të ishte dramatike për Interin.
Duke parë situatën e klasifikimit të Serisë A, çdo gjë është e hapur për tri vendet që të dërgojnë në Champions, përveç Napolit dhe kjo është ajo që kërkohet të shmanget. Europa është thelbësore për prestigjin dhe termat ekonomikë, që mund të sjellë ndryshime të mëdha për të ardhmen.
Mungesa e Champions-it mund të çojë drejt largimit edhe emra si Lautaro e Barela, që përveçse mund të sakrifikohen për arkat, mund të intrigohen edhe nga projekte të tjera për të shfrytëzuar sa më shumë momentin pozitiv të karrierës së tyre.
TIAGO MOTA – Ndërkohë që ngelen edhe pak muaj nga fundi i sezonit, një nga verdiktet që priten të jepen është edhe ajo mbi të ardhmen e Simone Inzagit.Trajneri ka një kontratë që skadon qershorin e ardhshëm, por çdo gjë do të varet nga arritjet e Interit këtë sezon dhe kryesisht nga ato europiane.
Me çdo gjë që ngelet për t’u vendosur, rreth 46-vjeçarit ka nisur të vërtitet hija e Tiago Motës, njërit prej heronjve të 2010-ës, që ndëshkoi në fundjavë Interin me Bolonjën e tij. Ish-mesfushori nuk është një profil i panjohur për klubin, që e ka telefonuar edhe në shtator dhe ajo që po tregon së fundmi me kuqeblutë, e ka bërë edhe më joshës si opsion.