Interi duhet të rikthehet menjëherë në rrugën e duhur dhe për këtë drejtuesit kanë qenë të pranishëm dje në Apiano Xhentile ku kanë takuar Simone Inzagin. Humbja në Bolonjë ka lënë gjurmët e saj, të cilat, siç ka konfirmuar Marota në deklaratën për “Sky Sport”, duhet të fshihen sa më shpejt.Administratori i deleguar, drejtori sportiv Piero Auzilio dhe zëvendësi i tij Dario Baçin janë përballur ditën e djeshme në takimin kokë më kokë me trajnerin, këtë herë pa praninë e skuadrës. “La Gazzetta dello Sport” ka zbuluar edhe temën e diskutimit mes palëve, që ashtu si pritej ishte konfirmimi i objektivave.
Ulje-ngritjet e këtij sezoni dhe mbi të gjitha qasja e ndryshme në sfidat me rivalët direkt kundrejt skuadrave të konsideruara provinciale nga vetë Marota, kanë sjellë si pasojë vendosjen në rrezik të zonës “Champions”.
Drejtuesit i kanë transmetuar edhe një herë tjetër Inzagit pritshmëritë e tyre me vendin e dytë në kampionat si kusht, si një mënyrë për të mos rrezikuar kualifikimin në Champions League vitin e ardhshëm.
Vazhdimësia në këtë kompeticion gjatë këtij sezoni është një tjetër pikë e rëndësishme e zikaltërve, që me rezultatin e arritur kundër Portos në ndeshjen e parë ka të gjithë mundësitë për t’u kualifikuar në çerekfinale pas 12 vitesh.
Pas kësaj trajneri i është drejtuar dhomave të zhveshjes, ku ka “shkundur” skuadrën. Analiza e gabimeve të “Dall’Ara”-s ka qenë në thelb të fjalimit që Inzagi i ka mbajtur ekipit, duke pasur parasysh edhe që në lojë është e ardhmja në stolin e Interit.
KLOP E DE ZERBI – Kur është fjala për trajnerin e ardhshëm të zikaltërve pa dyshim që e gjitha do të varet nga përmbushja e objektivave, por “La Stampa” ka treguar se emrat që qarkullojnë në zyrat e drejtuesve janë më shumë se të guximshëm.
Pas Tiago Motës, ka edhe dy pista “angleze” që kërcënojnë Inzagin. Emri i parë është ai i Roberto de Zerbit, sot trajneri i Brajtonit, që do të ishte i gatshëm të rikthehej në Itali pas eksperiencës me Sasuolon, kurse i dyti është ai i Jyrgen Klopit.
Nëse do të vendosë të brakisë “Të Kuqtë”, ringjallja e një Interi europian do të ishte sfidë e bukur për gjermanin.