Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka analizuar takimin në Kupën e Mbretit përballë Barcelonës, duke e cilësuar humbjen si një rezultat të keq, por që nuk i përgjigjet asaj çfarë skuadra e tij dha në fushë. “Rezultati është mjaft i keq, i pamerituar do të thoja, sepse ne kemi luajtur mirë, kemi pasur ritëm e intensitet. Jemi treguar të aftë ta pengojmë Barcelonën të bëjë lojën e saj, duke i vënë nën presion gjatë gjithë takimit, por për fat të keq nuk kemi mundur të shënojmë. Ata kanë luajtur me forca të shumta në mbrojtje, duke na e bërë edhe më të vështirë. Jemi munduar shumë, por pa qartësi”.
PAK RASTE – “Kur luan përballë një kundërshtari që tërhiqet shumë prapa nuk është asnjëherë e lehtë. Jemi munduar ta zgjerojmë fushën nga krahët, por Barça ka qenë kompakte në mbrojtje. Gjithsesi, kjo ndeshje më jep shpresa për takimin e kthimit”.
Mundësi e humbur – “Unë mendoj se me paraqitjen që kemi bërë nuk e meritonim të humbisnim, kjo është çfarë mund të them”.