Jam më i sigurt pas sfidave të fundit, Zomer luftë Nojerit: S’ndiej rivalitet…

Gjetja e alternativës së duhur në kuadratin e Bajernit do të merrte përmasa të jashtëzakonshme pas njoftimit se Manuel Nojer ka pësuar thyerjen e këmbës në ski, çka ndikoi në mbylljen e sezonit.Orvatjet e drejtuesve bavarezë me në krye Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç do të “kacavirreshin” drejt Jan Zomerit. Gardiani helvet kishte prezantuar repertor mbresëlënës në takimin e fazës së parë ndaj Bajernit, aty ku numri 19 i pritjeve do të shërbente si katalizator i bindjes në kampin e rekordmenëve gjermanë. Si përfundim, Zomer u vesh me ngjyrat e kampionëve të Bundesligës dhe ndërmori mbi supe peshën e rëndë për të zëvendësuar profilin e një “gjiganti” në kuadrat si Manuel Nojer. Ish-futbollisti i “Mëzave” është rrëfyer për herë të parë në lidhje me duelin e titullarit te Bajerni dhe marrëdhënia me kapitenin “e vjetër” të kampionëve të Bundesligës, pa anashkaluar objektivat.

PËRJETIMI- ”Njoftimin mbi dëmtimin e Manuelit e mësova në televizor, më erdhi keq, por edhe u habita. Ky detaj u pasua me gjetjen e zëvendësuesit, aty kuptova se kisha mundësinë e artë të isha pjesë e një prej klubeve më të mëdha në botë. Më pas filluan aludimet e para se mes meje dhe Bajernit po ziente diçka. Dëshira ime mbizotëroi dhe drejtuesit e Mynshengladbah nuk insistuan, e për pasojë solli edhe zyrtarizim në Mynih. Fillimi i aventurës si bavarez nuk ishte i thjeshtë. Gjithçka e re, përveç përputhshmërisë së ambicies, suksesit. Me kalimin e ndeshjeve ambientimi bëri të vetën dhe ja ku jemi sot. Lakmia më ka ndihmuar të arrijë nivele të jashtëzakonshme dhe jam i bindur se kam ende shumë për të dëshmuar nga reflekset e mia”, shprehej gardiani i përfaqësueses zvicerane.

RIVALITETI- ”Konkurrenca me Nojerin mund të ekzistojë vetëm në letër. Ai është fantastik në profilin e pritjeve të veta, ashtu si edhe unë brenda kornizave të mia. Sigurisht që do të jap gjithçka për të qenë numri 1 edhe pas këtij sezoni. Kjo nuk do të thotë se me Nojerin nuk gëzoj marrëdhënie të shëndetshme. Ne komunikojmë shpesh me njëri-tjetrin dhe ai po vazhdon të stërvitet intensivisht”, do të pohonte me tone të larta bindëse portieri helvet. “Përmirësimi” dhe “suksesi” do të ishin dy frazat e fundit që do ta shoqëronin Janin në intervistën për prestigjiozen gjermane “Kicker”.

OBJEKTIVAT- ”Në sfidat e fundit e ndiej veten më të sigurt, megjithatë nuk kam arritur në formën optimale, çka do të thotë se nevoja për përmirësim mbetet evidente. Nëse vazhdojmë të demonstrojë të njëjtin temp si ndaj Parisit dhe Unionit them se do të shkojmë shumë lart në të gjitha frontet ku jemi pjesëmarrës”, përfundoi Zomer.