Nga raporti me Handën te kolegët, rrëfehet portieri Onana: Interi është ëndërr, me Xhekon u grinda sepse…

“Vendlindja ime është Nkol Ngokm, një fshat i vogël, ku ajo që bënim si fëmijë ishte të shoqëronim më të rriturit të punonim fushat, për të arritur te të cilat duhet të ecnim 45 minuta. Gjëja më e pabesueshme është që nuk kishim drita, kishim vetëm fenerë dhe nuk kishte as shkollë. Fatmirësisht prindërit e mi u transferuan në një fshat tjetër, ku të paktën mund të shkoja në shkollë. Ajo që po përjetoj është një ëndërr! Të jesh lojtar i Interit është diçka që as nuk mund ta imagjinoja në fëmijërinë time në Kamerun”.Me këto fjalë e ka nisur rrëfimin e tij për “Dazn” Andre Onana, duke treguar nga sakrificat që i është dashur të bënte në fëmijëri deri te të qenit portieri i 19-herë kampionëve të Italisë, pa lënë pa komentuar edhe rivalët e tij.

Kur vendosët të bëheni portier?

Që fëmijë, sepse vëllai im Kristiani, më i madhi, ishte portier, unë e shoqëroja dhe i mbaja çantën. Shikoja si luante dhe u dashurova me rolin e portierit.

Çfarë do të ishit bërë nëse nuk do të ishte portier?

Polic, e dua shumë si profesion. Më pëlqejnë përgjegjësitë. Gjithsesi më pëlqen shumë të jem portier, por duhet të jesh shumë i fortë mendërisht, sepse çdo gabim që bën është gol.

A është më e lehtë për ju të luani me tre apo katër?

Për mua, me katër, sepse jam mësuar kështu, por të gjitha skemat janë në rregull nëse e kuptoni mirë njëri-tjetrin. Por tani unë jam përshtatur me Interin, edhe pse kam mënyrën time për të luajtur dhe interpretuar futbollin.

A keni luajtur ndonjëherë me frikën e humbjes?

Po, dhe pas asaj ndeshjeje i thashë vetes “Nuk do të luaj më asnjëherë me këtë frikë”. Kam humbur finalen e Europa League nga frika. Ajaksi e humbi atë ndeshje ndaj Mançester Junajtidit para se te luanim në 2017-ën. Në stërvitje telefonova Van der Sarin dhe i thashë që nuk isha mirë për finalen, isha i sëmurë. “Do të shkosh dhe do të luash, tha. “Unë jam plakur, nuk te zëvendësoj dot”. Mëngjesin e ndeshjes kishim shtatë lojtarë të sëmurë. Ishim të rinj, unë isha 19 vjeç. Ishim në tunel: E shoh De Gean pak më mbrapa se unë, gjashtë muaj më parë luaja “PlayStation”, duke e përdorur atë në portë. Tek unë pastaj vjen Min Juns, një nga lojtarët më të rëndësishëm që kishim dhe më thotë “A e ke parë krahun e Valencias? Nuk mund të luaj kundër tij”. Çmenduri.

Çfarë ju tha Handanoviç herën e parë që u takuat?

Ne u përshëndetëm me qetësi, ai më uroi mirëseardhjen. E njihja tashmë, nuk e di nëse ai me njihte mua. Po më ndihmon shumë. Por kur u takuam për herë të parë, më kujtohet fytyra e tij serioze. Ai dhe unë jemi ndryshe nga ky këndvështrim, sepse unë jam tip i qeshur, më pëlqen të këndoj, të flas, ai nga ana tjetër është shumë i qetë.

Çfarë ndodhi me Xhekon kundër Portos?

Këto gjëra ndodhin në futboll. Unë i thashë atij, nëse duhet ta bëjmë këtë për të fituar, atëherë le ta bëjmë gjithmonë. Nëse më duhet t’i bërtas Xhekos ashtu për të fituar, unë e bëj. Janë disa gjëra që i vendos unë, Xheko kërkoi topin, por të gjithë e bëjnë kur topin e kam unë, pastaj jam unë që vendos dhe të gjithë duhet ta respektojnë. Unë mund të bëj gabime, por ata duhet ta pranojnë. Unë duhet të ndihmoj skuadrën dhe nëse kjo do të thotë të debatoj me Xhekon ose me Lautaron, duhet të kem personalitetin për ta bërë këtë.

Një koment për Nojerin…

Për mua ai është portieri më i mirë në historinë e futbollit. Ai revolucionarizoi pozicionin, falë tij ne jemi portierë që tani luajmë mirë futboll. Në Botërorin e 2014-ës ai bëri diçka të pabesueshme, që nuk e kisha parë kurrë më parë. Nojer është idhulli im.

Xhixhi Bufon…

Duke qenë një portier, është e vështirë për mua të flas për Bufonin. Po flasim për një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Kam luajtur kundër tij në Kupën e Italisë. Në dhomën e zhveshjes, shkova tek ai për t’i kërkuar fanellën dhe më dha edhe dorezat e tij. U ktheva në dhomën e zhveshjes i lumtur si fëmijë. Menja. Unë e njoh mirë Majkun, kemi luajtur shumë herë, jemi miq, por jo të afërt.

Kush është më i miri?

Nuk mund t’ju them, por në kokën time e di se kush është më i miri.