Nëse ka dy figura me të cilat identifikohet Liverpuli i këtyre viteve të fundit, janë ato të Jyrgen Klopit dhe Mohamed Salahut.Që të dy i kanë rikthyer lavdinë “Reds”-ave në Angli, ku arritën të fitojnë titullin pas 30 vitesh, por edhe në Europë, ku pavarësisht se kanë mbërritur në tri finale të Ligës së Kampioneve, kanë triumfuar vetëm njëherë. Por atyre u ngrin buzëqeshja sa herë përballë vjen Reali i Madridit, një rivale me të cilën janë përballur shpesh këto vitet e fundit dhe kanë humbur dy finale: në Kiev 2018 dhe Paris 2022, ndërsa janë eliminuar edhe në çerekfinalet e 2020-‘21. Kampionët e Europës janë mallkimi i tyre, aq sa Salah nuk e di se çfarë do të thotë të mundësh rekordmenët e Europës. Egjiptiani nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë as kur luante për Romën dhe italianët u përballën me spanjollët në sezonin 2015-‘16, me skuadrën e Zidanit që tha fjalën e fundit. Në 7 ndeshje kundër tyre, ka humbur 5 dhe barazuar 2.
KLOP – Ndërkohë që nëse Klop nuk krenohet dot që nuk e ka mundur Realin në stolin e Liverpulit, të paktën mund ta bëjë këtë në kohën kur drejtonte Dortmundin. Gjermani ka kënaqësinë madje që i eliminoi nga Champions-i në 2013-ën, kur në gjysmëfinale, një fitore 4-1 në “Signal Iduna Park” e ndihmoi për të dalë i gjallë nga “Bernabeu”. Për më tepër, ata arritën edhe një fitore 2-1 në fazën e grupeve në të njëjtin sezon dhe një tjetër në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të 2013-‘14 2-0, e cila nuk mjaftoi për të avancuar më tej.
“Ajo që thashë 3 javë më parë pas ndeshjes ishte se Reali është kualifikuar. Tani dimë që kemi edhe një ndeshje për të luajtur. Nëse do të ketë vetëm 1% shans, ne do ta provojmë. Luajmë ndaj një kundërshtari të fortë që duam ta mundim. Është e mundur. Prandaj jemi këtu. Mezi po e presim. Presingu në mesfushë duhet të jetë i shkëlqyer. Duhet të ndërmarrim rreziqe, por të shmangim kundërsulmet”, tha Klop në konferencë.