Kjo është pasqyra e paraqitur në të dhënat e ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), sipas së cilës numri më i madh i veprave penale lidhur me dhunën në familje është regjistruar në rajonin e Shkupit me gjithsej 279, pas të cilit radhitet rajoni i Manastirit me 203 vepra penale. Në vend të tretë është rajoni i Tetovës ku Sektori i Punëve të Brendshme i kësaj komune ka regjistruar 145 vepra penale. Në vendin e fundit është Velesi, me 85 vepra të këtilla.
Ndërkaq, janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 191 viktima të dhunës në familje. Ndër to, numrin më të madh e përbëjnë gratë, përkatësisht 942, gjysma prej të cilave janë të regjistruara si bashkëshorte në bashkësi familjare. Por, ka edhe rreth 120 gra viktima të dhunës në familje në bashkësi jashtëmartesore.
Në një seri dhune nuk janë kursyer as fëmijët dhe prindërit. Autoritetet kanë regjistruar 44 vajza dhe 58 djem, si viktima, por edhe 100 nëna dhe 86 baballarë.
Numri më i madh i kryerësve të veprave penale të dhunës në familje janë burra, përkatësisht 1 mijë e 61. Rreth gjysma e tyre janë bashkëshortë. Por, si kryerës janë regjistruar edhe bijtë, në 171 raste. Në regjistra janë përfshirë edhe rreth 50 ish-bashkëshortë si kryerës të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje.
Si viktima në vitin 2022 paraqiten edhe burrat në 249 raste. Prej tyre, 25 kanë qenë në bashkësi bashkëshortore, ndërsa tre janë regjistruar si pjesë e bashkësisë jashtëmartesore.
Por, më shqetësues janë numrat kur bëhet fjalë për përdhunime dhe sulme seksuale. Në tre muajt e parë të vitit të kaluar janë regjistruar dy përdhunime ku viktimat ishin gra të moshës madhore. Janë regjistruar pesë sulme seksuale ndaj fëmijëve, përkatësisht personave që nuk kanë mbushur 14 vjet. Katër nga to ishin vajza, ndërsa është regjistruar edhe një djalë si viktimë e dhunës seksuale.
Në këta regjistra është përfshirë edhe një akt i kryer me forcë ndaj një personi të pambrojtur ku viktimë ishte një vajzë e mitur.
Në parakalimin e protestës që u mbajt në Shkup me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, një numër i madh i veprimtareve thanë se nuk ndjehen të sigurta.
“ Të jesh grua në Maqedoni (të Veriut) do të thotë të pyesësh veten nëse do të mbijetosh dhunën e përditshme nga partneri, që tanimë ke provuar ta denoncosh tek institucionet të cilat duhet të të mbrojnë. Ato kanë bërë procesverbal dhe nuk kanë vepruar dhe nuk të kanë mbrojtur”, thuhet në mesazhin të cilin e lexoi Nadica Banishka, pjesëmarrëse në parakalim.
Organizatat joqeveritare theksojnë se problem serioz në shoqëri është përballja e viktimave me paragjykime.