Ngjarje si në filma/ Të burgosurit gërmojnë tunel 60 metra të gjatë, tentojnë të arratisen, por…

Një tunel rreth 60 metra i gjatë është zbuluar nga autoritetet maqedonase në Burgun e “Idrizovës”, i gërmuar nga të dënuarit. Në këtë burg, ka dhe një numër të madh të dënuarish me origjinë shqiptare.

Lajmin e ka konfirmuar Jovica Stojanoviq, drejtor i Administratës për Sanksione, i cili ka thënë se të burgosurit po hapnin një tunel për t’u arratisur.

Ai është rreth 60 metra i gjatë dhe me trarë mbështetës. Tuneli u hap për rreth katër deri në pesë muaj dhe ndriçimi u zgjidh me kabllo dhe llamba. Një grup hetimor i policisë ndodhet në terren dhe më shumë detaje pritet të njoftohen më vonë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk ka dashur të komentojë këtë ngjarje. Në një konferencë për mediat, ai theksoi se drejtori aktual i KPU Idrizovë është shkarkuar dhe në vend të tij do të jetë gjeneralmajor Zoran Jovanovski.