Debutoi me gol me Italinë, sulmuesi i talentuar i jep sinjale Interit dhe Milanit: Një ditë dua Europën

Mateo Retegui e fitoi bastin e trajnerit Mançinit për t’ia besuar titullar majën e sulmit të Italisë në ndeshjen e tij të parë me kombëtaren e kaltër. Sulmuesi i Tigres tha për mikrofonat e “Rai”-t se pavarësisht se është i kënaqur për golin e tij, është natyrisht i trishtuar për humbjen:“Jam i trishtuar për humbjen, por shumë i lumtur për debutimin tim. Jam me të vërtetë krenar që përfaqësoj këtë vend. Ishte ajo që doja. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të punojmë”.

23-vjeçari zbuloi edhe emocionet në dhomën e zhveshjes me shokët e rinj të ekipit: “Më kanë trajtuar të gjithë mirë dhe më kanë pritur me dashuri. Jam i lumtur që jam këtu. Do të më duhet kohë për t’i njohur. Goli më jep besim në këtë aventurë të re. E kam kërkuar gjatë gjithë pjesës së parë, por fati e deshi ta gjej në të dytën. Por më shumë sesa ai, rëndësi ka rezultati për skuadrën”.

Milani dhe Interi janë dy skuadra të përfolura për një interes për të, por sulmuesi tha: “Nuk i dihet çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Herë a vonë do të më pëlqente që të luaja në Europë, edhe në Itali. Por tani jam i lumtur që luaj për Tigren dhe është një nder të vesh fanellën e tyre”.