Frazat gjatë festimit dhe koret e tifozëve, reagon Lukaku: F*ck racizmit, Liga të marrë masa

Romelu Lukaku ishte pa dyshim protagonisti i fundit i gjysmëfinales së parë të Kupës së Italisë, jo vetëm për penalltinë e shndërruar në gol, por mbi të gjitha për atë që ndodhi pas saj.Në festimin pas golit, belgu iu drejtua me përshëndetje gjeneralit dhe gishtin mbi buzë tifozërisë bardhezi që kishte thurur kore raciste në drejtim të tij gjatë dhe pas ekzekutimit të penalltisë, i njëjti festim që kishte kryer një javë më parë me Belgjikën, por atëherë festimi i dedikohej Dokut, shokut të tij të dëmtuar.

Tifozët vazhduan fyerjet raciste edhe më tej edhe Lukaku u inkuadrua mes përqafimeve të shokëve të tij duke iu drejtuar tribunës juventine me fjalët “Qepeni, qepeni”, siç duket nga leximi i buzëve.

Arbitri Masa e ndëshkon me kartonin e dytë të verdhë 29-vjeçarin, që mes protestave lë fushën e lojës, para se të dyja skuadrat të përfshihen në një sherr masiv.

Në dhomat e zhveshjes, Lukaku u ka zbuluar drejtuesve zikaltër mbi frazat dhe kontestimet raciste në drejtim të tij, ndërkohë që vetëm dje ka ardhur edhe reagimi i tij në rrjetet sociale, ku theu heshtjen për herë të parë pas ngjarjeve.

REAGIMI – Poshtë fotos ku shfaqet vetë ai duke festuar atë gol ndaj Juves në “Allianz Stadium” ka ardhur edhe mesazhi i “Big Rom”-it.

“Historia është përsëritur. E kalova në 2019-ën dhe po e përjetoj sërish në 2023-shin. Shpresoj që Liga vërtet të marrë masa këtë herë, sepse kjo lojë e bukur duhet të shijohet nga të gjithë. Faleminderit për mesazhet mbështetëse. F*ck racizëm”, kanë qenë fjalët e belgut drejtuar gjithë ndjekësve të tij, një mesazh poshtë të cilit nuk kanë munguar mesazhet e mbështetësve nga gjithë bota e futbollit dhe jo vetëm.