Shpërthim i papritur publik i Mbape me një postim kundër PSG-së: Ky nuk është Kilian Sent-Zhërmen

PSG ka kthyer prej kohësh Kilian Mbape në imazhin e klubit parisien. Por kjo situatë nuk i pëlqen edhe aq shumë futbollistit, i cili kërkon që të jetë ai që vendos për të drejtat e imazhit të tij dhe ku përdoret. Kjo ka bërë që Mbape sot të dalë publikisht kundër klubit francez që e ka bërë një nga futbollistët më të paguar në botë dhe që po mundohet me çdo kusht që të zgjatë qëndrimin e tij në kryeqytetin francez.Mbape duket se ishte i acaruar nga fakti që një intervistë e tij për klubin, është shfrytëzuar për fushatën e abonimeve të sezonit të ardhshëm. Ai ka postuar në rrjete sociale një protestë kundër klubit që kishte shfrytëzuar imazhin e tij për këtë fushatë dhe fjalët që ai kishte thënë në një intervistë për mediat e klubit.

“Sapo pashë fushatën e abonimeve të klubit për sezonin 2023-2024. Në asnjë moment nuk isha informuar për objektivin nga bashkëfolësi. Ajo dukej si një intervistë e thjeshtë gjatë një dite marketingu në klub, nuk jam aspak dakord me këtë video të publikuar.

Kjo është arsyeja pse unë luftoj për të drejtat individuale mbi përdorimin e imazhit.PSG është një klub i madh dhe një familje e madhe, por nuk është aspak Kilian Sent-Zhërmen”, shkruante Mbape në postimin e tij që tregon se gjërat mes tij dhe klubit nuk janë aq miqësore sa mendohej.