Istvan Kovaks, mësues i edukimit fizik, do të jetë arbitri i Milan-Napoli, ndeshja e parë çerekfinale e Ligës së Kampionëve që do të luhet nesër (21:00) në stadiumin “San Siro”.
38-vjeçari rumun ka tre precedentë me klubet italiane në eventin më të lartë kontinental. E para daton më 2 tetor 2019 në fazën e grupeve dhe ka të bëjë me Napolin: 0-0 në fushën e Genkut. E dyta është më 17 mars 2021 në raundin e 1/8-ave: Bajern-Lacio 2-1. E fundit daton më 28 shtator 2021, ende në fazën e grupeve: Shakhtar Donjetsk-Inter 0-0.
Në turneun aktual ai drejtoi, ndër të tjera, ndeshjen e parë të raundit të dytë më 21 shkurt, Liverpul-Real Madrid (2-5). Ai gjithashtu arbitroi Napolin në Ligën e Europës vitin e kaluar në Barcelonë (1-1) dhe Milanin në eliminatoret e të njëjtit kompeticion (0-1 në Tetovë ndaj Shkëndijës).
Në total bilanci i Kovaksit me italianët në Europë është 4 fitore, 4 barazime dhe një humbje.
Përveç ekipeve të klubeve, Kovaks ka një precedent edhe me Italinë e Roberto Mançinit, të cilët u ndalën 0-0 në Belfast nga Irlanda e Veriut më 15 nëntor 2021 në raundin kualifikues për Kupën e Botës në Katar.