Marko Materaci është si gjithmonë shumë pranë Interit dhe e tregon këtë sa herë që mundet, qoftë me përkrahje në rrjetet sociale, qoftë në intervistat që jep. I ftuar në “podkastin” e “Italian Football TV”, ish-numri 23 i zikaltërve ka folur për disa tema të ndryshme, duke e nisur me aktualitetin e zikaltërve e duke vazhduar me rivalitetin me Juven dhe episodin me Zidanin në finalen e Botërorit.
“Interi do të përballë Benfikën, që nuk është aspak e lehtë, ata janë në një moment të mirë dhe në Portugali luajnë futboll të mirë. Champions League është Champions League, por kam besim te “San Siro”, atmosfera atje është e mrekullueshme. Për mendimin tim, problemi është rregulli i anuluar i golit në fushë kundërshtare, nuk është e lehtë për italianet. Ne në transfertë shënojmë një gol dhe menaxhojmë rezultatin dhe nuk është e lehtë. Pastaj në kampionat kanë humbur dhjetë ndeshje, nuk është normale”, tha mbrojtësi që foli edhe për krahasimin me Bastonin.
“Më kujton veten. Është i bukur, është interist. Ka vetëm një problem: nuk shënon shumë. Unë shënoja të paktën 5 gola në 35 ndeshje, përndryshe e konsideroja sezon negativ për mua”.
JUVJA – Juventusi ka qenë një ndër kundërshtarët më të luftuar të ish-mbrojtësit, që për bardhezinjtë tha: “Unë e respektoj, por e urrej Juventusin në aspektin sportiv. Unë isha në Kardif dhe Berlin kur ata humbën finalet e Champions-it dhe zemra më rrihte fort. Do të kishte qenë e shëmtuar për mua të fitonin”.
Materaci nuk mund të shmangte kujtimin e tripletës në fjalën e tij. “Kur erdhi Murinjo, mentaliteti im ndryshoi. Ne ishim ekipi më i mirë në Itali. Për të fituar Champions League, duhet të jesh me fat, duhet të menaxhosh detajet. Unë kam luajtur gjithmonë në Kupën e Italisë me Murinjon. Ai besonte tek unë dhe unë e dija dhe isha në gjendje të luftoja me luanët falë kësaj”.
ZIDAN DHE FINALJA – Më pas Materaci kujtoi finalen e Kupës së Botës të fituar në vitin 2006 me Italinë kundër Francës.
“Asgjë nuk do të kishte ndryshuar me Zidanin në fushë. Çfarë ndodhi me të? E dini çfarë është “trash talking”, që janë fjalët që thuhen në fushë. Ai më ofroi fanellën, unë i thashë se preferoja motrën e tij. Në atë moment nuk ndjeva asgjë, po të isha i tensionuar do të kisha pasur probleme, nuk e prisja, ishte çmenduri”, tha italiani që tregoi edhe për penalltitë.
“Ato 40 metra ishin shumë të gjata. E hodha topin në tokë dhe arbitri më tha se ishte në pozicionin e gabuar. I gjithë stadiumi po më vërshëllente, francezët ishin pas portës. Kur shënova, u thashë se nuk i dëgjoja. Nuk mund ta përshkruaj emocionin”.