Interi arriti një fitore shumë të rëndësishme në Portugali përballë Benfikës me rezultatin 0-2, që e vendos në kushte të favorshme për sfidën e kthimit në “San Siro”. Zikaltrit triumfuan falë golave të Barelës dhe Lukakut, por që zhvilluan edhe një ndeshje pothuajse perfekte në aspektin taktik. Në lidhje me këtë përballje foli edhe trajneri Inzagi që menjëherë pas ndeshjes, ndër të tjera deklaroi:
Triumfi me 2 gola…
“Kemi zhvilluar një ndeshje të mrekullueshme kundër një ekipi të fortë në një stadium elektrizues. Jam i kënaqur, por në 7 ditë do të jetë dueli i kthimit dhe ata kanë treguar se mund të garojnë në të gjitha fushat. Ne kemi një avantazh, por asgjë nuk është e mbyllur.
E prisnit këtë rezultat?
“Ndeshjet e fundit nuk ishin kurorëzuar me sukses, por kishim luajtur 3 ndeshje të shkëlqyera. Kjo është ndeshja e tretë jashtë në një kohë të shkurtër, jemi në një moment në të cilin jemi pak të lodhur, por duhet të shkojmë përpara. Ndërkohë po e shijojmë mbrëmjen”.
A do ta kishit besuar dje nëse dikush do t’ju thoshte se do të kishit fituar 2-0?
“Unë kisha shpresë, e kisha parë skuadrën të krijonte dhe të luante ashtu siç më pëlqente. Duhet të lini rezultatin mënjanë ndonjëherë dhe të shikoni se çfarë bëhet në fushë.”
A është edhe kjo hakmarrja?
“Jo hakmarrje, unë punoj për të mirën e Interit dhe jam përpjekur ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme për një kohë shumë të gjatë. Është e drejtë të dëgjojmë kritikat, por duhet të punojmë më shumë dhe më mire”, deklaroi Inzagi.