Guardiola nuk i zë besë Bajernit: Po folëm vetëm për rezultatin po ju them mirupafshim e po iki, ishin më mirë se ne

Fitorja 3-0 e Mançester Sitit përballë Bajern Mynih nuk ka qetësuar Pep Guaridolën. Trajneri i “qytetarëve” ka theksuar pas sfidës se gjithçka mund të ndodhë sa i përket historisë së kualifikimit, duke pranuar se ekipi i tij vuajti në një pjesë të lojës përballë bavarezëve.

“Ndeshje e vështirë. Jam shumë i impresionuar nga cilësia e Bajernit, kur i sheh në fushë e kupton se sa skuadër e fortë janë. Në një pjesë të lojës ishin më mirë se ne, na sulmuan me shpejtësinë e lojtarëve që kanë. Janë të vështirë për t’i kontrolluar por fatmirësisht shënuam një gol fantastik me Rodrin. Vuajtëm në 5-10 minutat e parë të pjesës së dytë, por më pas morëm kontrollin e ndeshjes. Në fundin e ndeshjes ishim të shkëlqyer. Është një rezultat i mirë, por unë e di personalisht se si është të luash në Mynih dhe këta lojtarë kundërshtarë.

Fitorja 3-0? Po, por realiteti i ndeshjes është ky, nëse do të flasësh vetëm për rezultatin unë po them mirupafshim dhe po iki. Nëse flasim se si ishte ndeshja, në një pjesë të saj ishin më mirë se ne. Ne vuajtëm që të ndalnim ata në pozicione që duhej, por përpjekja e ekipit ishte e jashtëzakonshme.

Në “Allianz Arena” në Gjermani, nëse ata nisen në sulm dhe ecin para, gjithçka mund të ndodhë”, tha ndër të tjera Guardiola pas duelit.