Akti i dytë i Milan-Napoli do të luhet sot në 21:00 në “San Siro”. Kuqezinjtë premtojnë betejë, por nuk tërhiqet as Luçiano Spaleti që dy “pykat” kryesore është i detyruar t’i lërë në shtëpi për shkaqe dëmtimesh.
“Forca e një skuadre qëndron te grupi dhe jo te varësia ndaj një individi. Gjatë sezonit kemi treguar se dimë të fitojmë edhe pa Osimhenin. Deri këtu nuk kemi ardhur rastësisht dhe do ta dëshmojmë”, deklaroi tekniku 64-vjeçar në hapje të konferencës për shtyp. Ai nuk u druhet efekteve anësore të humbjes së kampionatit (4-0 për kuqezinjtë).
“Nuk kam frikë se mos përsëritet rezultati i dy javëve më parë, sepse në atë ndeshje nuk ishim Napoli i zakonshëm. Kemi analizuar çdo aspekt dhe ajo e radhës do të jetë një sfidë ndryshe. Për më tepër edhe fitorja me Leçen na ka ndihmuar me moralin, ndaj kundër Milanit do të dimë të jemi në lartësinë e pritshmërive. Janë ende kampionët e Italisë dhe kanë shumë lojtarë cilësore me Leaon, që është vetëm njëri prej tyre. Nevojitet shumë kujdes dhe do ta kemi”, sqaroi tekniku napolitan.
MALDINI DHE GUARDIOLA – E pashmangshme edhe një pyetje në lidhje me sherrin me Paolo Maldinin 10 ditë më parë në pushim të ndeshjes së kampionatit. Lidhur me legjendën kuqezi, ai tha: “Nuk do të ketë nevojë që të sqarohem me Maldinin. Tani që kamerat janë kudo është normale që njerëzve të mos u shpëtojë asnjë detaj, por këto janë gjëra që ndodhin gjatë ndeshjeve. Konsideratën time për Paolon e kam treguar që kur isha te Zeniti. Më kërkuan t’u sugjeroja një profil drejtuesi dhe unë kontaktova Maldinin, i cili refuzoi. Edhe në 2020 kam bërë një postim me dy fanellat e mia më të dashura, të cilat ishin të Maldinit dhe De Rosit. Më kaq besohet se kuptohet se sa shumë e vlerësoj”.
Sa i përket Pep Guardiolës, i cili një ditë më parë nuk pranoi të fliste për Spaletin, sepse ishte shumë i ndjeshëm, trajneri i Napolit e pa të arsyeshme të tregonte versionin e tij. “Guardiola më ka keqkuptuar, por unë kur flas për të ngrihem në këmbë. Më vjen keq për situatën e krijuar, por unë jam shumë i lumtur kur një koleg aq i madh komenton skuadrën time”, përfundoi Spaleti konferencën, i ngritur në këmbë në respekt të homologut te Siti.