Ndaj Napolit s’vlen 4-0”, Teo Hernandez: Gati për betejë, as “Topin e Artë” para Milanit

Tre gola e pesë asiste janë gjithçka që ka ofruar Teo Hernandez me Milanin në 34 prezenca sezonale. Fakti që është lojtari më i përdorur në epokën “Pioli”, sidoqoftë, është një tregues i qartë i rëndësisë së francezit, i cili dje ka dalë në konferencë për shtyp krah trajnerit të tij.

A është kjo ndeshja më e rëndësishme e karrierës?

Mendoj se po, por jam i bindur se ka për të qenë gjithashtu një duel i bukur dhe i rëndësishëm.

Mendoni se i ka ndryshuar ekuilibrat 4-0 e kampionatit?

Nuk besoj. Këto të Champions-it dallojnë nga Seria A. Napoli është i fortë dhe ne jemi munduar të përgatitemi sa më mirë.

E keni ëndërruar ndonjëherë “Topin e Artë”?

Milani është shumë i rëndësishëm për mua dhe kur mbaj shiritin ndihem i nderuar. Që në ditën e parë në këtë klub jam ndier i lumtur dhe shpresoj të qëndroj sa më gjatë. Sa për “Topin e Artë” nuk e di nëse do ta fitoj. Tani për tani mendoj vetëm për Napolin.

Sa mund të ndikojë mungesa e Osimhenit?

Për ne nuk ndryshon asgjë, sepse Spaleti ka një skuadër me shumë kampionë e kushdo që do të zëvendësojë Osimhemin mund të bëjë shumë mirë.

A mund ta fitojë Milani Champions-in?

Patjetër, por si fillim le të merremi me Napolin. Duhet të luajmë siç dimë, pa menduar për të ardhmen. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe në fushë do të zbresin 12 lojtarë, pasi tifozët janë me ne.

Ndiheni lider në këtë skuadër?

Mundohemi të gjithë të jemi të tillë duke folur e ndihmuar njëri-tjetrin. Pas Botërorit pata një periudhë të vështirë, por mendoj se po rigjej nivelin tim.

Flokët e kaltër ishin një provokim ndaj Napolit?

Aspak, ishte një mënyrë për të festuar ditëlindjen e parë të tim biri.

Keni kolegë korsie Leaon te Milani dhe Mbapenë te Franca. A shpresoni të luani gjatë krah tyre?

Leao e Mbape janë dy futbollistë fantastikë. Jam me fat që kam shansin të luaj krah tyre, por po aq e vërtetë është se Leao duhet të përmirësohet ende e për këtë merret trajneri. Sa për të ardhmen e tij, ai do të vendosë vetë.

Jeni mbrojtës krahu dhe kapiten. Si Di Lorenco te Napoli…

Jemi lojtarë të ndryshëm e ai është më i fortë se unë në disa aspekte.