Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar bandën kriminale të trafikut të drogës me origjinë shqiptare, të njohur si klani Farruku, duke arrestuar 20 anëtarë.
Operacioni u shtri në provincat e Madridit, Malgës, Toledos, Barcelonës dhe Cadiz, ku u angazhuan 250 agjentë policie. Të arrestuarit akuzohen për futjen e 10 tonëve kokainë në Spanjë.
Sipas mediave spanjolle hetimi ka nisur para një viti, ku në portin e Algeciras u sekuestruan rreth 2 ton drogë, të fshehur në një ngarkesë me merlucë të ardhur nga Ekuadori. Aktivitetet kriminale të klanit Farruku, i cili përveç trafikut të kokainës lidhet me grabitjet e shtëpive dhe disa vrasje të lidhura me drogën, është i njohur në Spanjë që nga viti 2008.
Dyshohet se kreu i bandës është Kreshnik Farruku, i cili është arrestuar për herë të parë në vitin 2019 në Madrid, pasi ishte lëshuar një urdhër arresti nga Italia. Në atë kohë, policia spanjolle e kishte hetuar tashmë për lidhjen e tij të mundshme me grupin e shqiptarëve që në vitin 2007 sulmuan shtëpinë e biznesmenit José Luis Moreno dhe për vrasjen me armë zjarri, në 2008 në El Molar (Madrid), të Mendzici Nurarin, i dyshuar si anëtar i organizatës. Pas vdekjes së tij, Kreshnik Farruku mori komandën e organizatës, ndonëse pak kohë më pas u arrestua, së bashku me anëtarë të tjerë të organizatës së tij, në Barcelonë kur po transportonte 20 kilogramë kokainë në makinën e tij që gjoja kishte ndërmend ta çonte në Itali.
Dy vjet më vonë ai u arratis duke përfituar nga një leje burgu dhe u largua nga Spanja, megjithëse u kap sërish. Katër vite më parë ai u arrestua sërish, këtë herë në një hotel në lagjen e Madridit, Tetuán, kur ndodhej me vëllain e tij të vogël Erniun, i cili supozohej se kishte marrë drejtimin e klanit gjatë mungesës së tij.