Reali kënaqet vetëm me dy gola, fiton të parën përballë Çelsit në shtëpi

Real Madrid ka siguruar një fitore të pastër 2-0 ndaj Çelsit në ndeshjen e parë çerekfinale mes dy skuadrave në Ligën e Kampioneve. Skuadra e Ançelotit ka siguruar fitoren që i nevojitej për të shkuar me në avantazh në ndeshjen e dytë, edhe pse mund të mbyllte që sot kualifikimin.

Përtej një starti të vrullshëm të miqve, ndeshja foli për skuadrën e Realt që dominoi në lojë e raste, pasi gjeti golin e parë me Benzema. Madrilenët e kishin më të thjeshtë të luanin përballë miqve të cilët linin shumë hapësira, sidomos për Vinicius e Rodrigon.

Pikërisht një kundërzbritje e Rodrigos në pjesën e dytë solli edhe kartonin e kuq të Çilluell, i cili la skuadrën e tij me 10 futbollistë. Kjo ia bëri më të thjeshtë punën Realit, që gjeti edhe golin e dytë me Asension, me lëvizjen e zakonshme të Ançelotit i cili ka spanjollin si “xholin” e tij në pankinë.

Çelsi u përpoq të reagonte në fund për një gol që do t’i jepte më shumë vlerë ndeshjes së kthimit. Por mbrojtja e Realit kontrolloi gjithccka dhe vulosi një fitore 2-0 që i jep një avantazh të rëndësishëm kampionëve në fuqi për ndeshjen e kthimit në Angli.

REAL MADRID-ÇELSI 2-0
21′ Benzema, 74; Asensio