Ka shënuar 14 gola në 8 takimet e fundit, Benzema “kërcënon” fronin e Mesit

Pranvera ka mbërritur në dyert e Europës dhe bashkë me të edhe faza vendimtare e Ligës së Kampioneve.

Bashkë me të, zilja e zgjimit ka rënë dhe për kapitenin e Realit të Madridit, Karim Benzema, për të marrë sërish Realin për dore siç bëri në sezonin e kaluar. Pas një sezoni me hope edhe për shkak të dëmtimeve jo të pakta, francezi ka pritur fazën vendimtare në Champions për të treguar se jo më kot është “Topi i Artë”.

Liga e Kampioneve është ora me zile që vë në veprim Benzemanë dhe që, pa dyshim, është një lajm i mrekullueshëm për Realin e Madridit. Francezi është arma kryesore që Ançeloti ka në shërbim të tij kur vjen puna para porte. Benzema nuk ka mbërritur në kohë për garën në La Liga – e destinuar për të përfunduar në Barcelonë – por ai ka gjetur Benzemanë në versionin më të mirë për Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit, dy titujt për të cilët Madridi po garon në këtë pjesë të fundit të sezonit. Dyshja e krijuar nga Benzema dhe Vinicius ishte kyçe në sezonin e kaluar në sukseset e Realit dhe tani, pas letargjisë dimërore të Benzemasë, duket se do të jetë sërish në këtë fazë të fundit të sezonit, ku golat vlejnë e trofetë fitohen.

Përveç kësaj, me ndeshjen ndaj Çelit, Benzema arriti 130 ndeshje në Europë me Realin, duke lënë pas Serxhio Ramosin (129), teksa para tij janë Raul (132) dhe Kasijas (152). Marrëdhënia e Benzemasë me Champions-in është vërtet mbresëlënëse. Në këto dy edicionet e fundit ai ka shënuar 14 gola në tetë ndeshjet me eliminim, ndërsa gjithsej ai numëron 90 gola në Ligën e Kampioneve, shifër që e mban në vendin e katërt pas Kristiano Ronaldos (140), Mesit (129) dhe Levandovskit (91).

Por ajo që e bën të veçantë Benzemanë është atëherë kur “temperaturat” ngrihen. Domethënë, kur golat vlejnë kualifikimin apo trofeun. Ai numëron 17 gola në fazën vendimtare të Ligës së Kampioneve. Në këtë mënyrë ai rrezikon vendin e Mesit me 20 gola në fazën me eliminim, teksa Ronaldo me 42 gola është në një planet tjetër.