“Interi e meritoi”, Bonuçi pranon superioritetin e zikaltërve: Ora të kthejmë faqen, asnjë problem me Alegrin

Leonardo Bonuçi u rik thye që të luante një ndeshje si titullar për Juventusin pas një kohe shumë të gjatë, por në fund del kokëulur, madje u duk edhe disi nervoz në momentin që u thërrit në stol nga Alegri.

Leo, një rikthim me një humbje që djeg shumë…

Absolutisht po, sepse është normale që të humbësh kundër Interit ka gjithmonë një shije tjetër. Por nëse kësaj i shton edhe mohimin e mundësisë që të shkosh në finalen e Kupës së Italisë djeg dyfish.

Kundër Interit ishte humbja e parë në këtë sezon, pas 2 fitoresh në kampionat dhe barazimit në gjysmëfinalen e vajtjes. U duk sikur ia kishit marrë dorën?

Po, por këto ndeshje që nisin me frenat e dorës të ngritura nuk sjellin asnjëherë diçka të mirë, aq më shumë kur pëson edhe disavantazhin. Është një moment shumë i vështirë për ne dhe është e kotë që ta mohojmë. Ka ardhur ora që të kthejmë faqe, pasi mund të bëjmë shumë më mirë se kaq. I kishim mundësitë për të shkuar në finalen e Kupës së Italisë, por e shpërdoruam keq.

Krijuat shumë pak për fajin tuaj, apo për meritë të Interit?

Mendoj se ishin pak nga të dyja. Ne nuk treguam karakter, ndërsa Interi dihet që është shumë i rrezikshëm nëse i lë që të lëvizë topin. Interi na vuri menjëherë në presion, ndërsa ne vetëm me Kiezën në sulm, i cili nuk është mësuar që të bëjë pykën, kishim pak mundësi që ta mbanim topin gjatë përpara. Është një moment ku na duhet të përballemi edhe me mungesa të rëndësishme, ndonëse nuk vlen si justifikim.

Kur Alegri të thirri në stol u duke nervoz…

Jo, është keqkuptim. E pranova zëvendësimin, thjesht po diskutoja nga larg që të mos digjnin vetëm me mua një hapësirë zëvendësimesh, në rast se ndeshja mund të shkonte dhe në shtesë. Por rrini të qetë, asnjë problem me trajnerin. Nuk kam bërë kurrë protesta për një zëvendësim në karrierën time.

Çfarë ndodh tani në vazhdim?

Asgjë përveçse të vëmë këmbët fort në tokë dhe të reagojmë, pasi kemi një vend të tretë për të mbrojtur dhe Ligën e Europës.